Aktualitet

Arrestohet djali i Nehat Kullës, ‘gjeneralit’ famëkeq të bandës së Tiranës

Djali i Nehat Kullës dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj njerkës së tij

E.K
Arrestohet djali i Nehat Kullës, ‘gjeneralit’ famëkeq
Robert Kulla

TIRANË- Djali i Nehat Kullës, i njohur me nofkën “gjenerali”, i bandës famëkeqe në Tiranë, është vënë në prangat e policisë. Mësohet se djali i Nehat Kullës, Robert Kulla, 43-vjeç është arrestuar për akuzën e dhunës në familje dhe vetëgjyqësisë. 

Robert Kulla dyshohet se ka dhunuar psikologjikisht njerkën e tij, si dhe ka thyer bravën e derës, duke përfunduar në prangat e Policisë.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Dhuna në familje", "Vetëgjyqësia", dhe "Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës". Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës", njofton Policia e Tiranës. 

Nehat Kulla ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare në vitin 2020, si pasojë e përballjes me koronavirusin.

Kulla ka drejtuar një ndër bandat më famëkeqe në Tiranë dhe në Shqipëri, në vitin e mbrapshtë 1997. Banda e Nehat Kullës u krijua gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri dhe veproi në fshatin Tufinë në Tiranë.

Teksa Tirana dhe e gjithë Shqipëria digjej nga lufta civile që po zhvillohej, ai së bashku me familjarë e miq të tij mbanin të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arriti të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, me aktivitet në zonën e Kinostudios dhe Tufinës në Tiranë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij.

Banda e tij akuzohet se ka kryer shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme në vitet 1997-1998. Pikërisht në repartin “xhenios”, pasi grabiti një kamionçinë ushtarake të llojit Chevrolet me targa ushtrie dhe sinjale policie e mbante veshur edhe uniformë ushtarake, Kulla, u emërua me noftën Gjenerali. Në atë kohë, i vetmi mjet ushtrie që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës.

Nehat Kulla u dënua me 20 vjet burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi, ish-shoferi i ish-zv/ ministrit të Arsimit, Halit Shamata.  Më 13 korrik të vitit 2019, Kulla u lirua nga qelia, pasi shleu të gjithë dënimin e tij. 

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB