
TIRANË- Do të dalin sot para gjykatës së Tiranës Dritan Nano dhe Dorian Alia, të cilët akuzohen për dhunimin me pasojë plagosjen e rëndë të avokatit Sokol Mëngjesi. Prokuroria ka kërkuar ndaj tyre masën e arrestit me burg, ndërsa gjendja e avokatit Mëngjesi vijon që të mbetet e pandryshueshme. Ai ndodhet i intubuar në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa 3 prej dhunuesve të tij janë ende në liri, dhe nuk janë vënë në pranga nga policia.
Dritan Nano, akuzohet nga policia dhe prokuroria se ka qenë organizatori i sulmit, ndërsa Dorian Alia, që është njëherësh dhe dhëndri i tij, është personi që ka ushtruar dhunën në drejtimj të avokatit Mëngjesi.
Policia vijon kontrollet për kapjen e autorëve të tjerë të ngjarjes, kryesisht në vendlindjet e tyre, ku dyshohet se mund t5ë jenë fshehur.
Policia dhe prokuroria kanë siguruar jo vetëm dëshmitë e palëve të përfshira në marrëveshje me avokatin, por edhe të të gjithë personave që janë në dijeni të sherrit. Në dëshmitë e dy personave të dorëzuar, vjehrrit dhe të dhëndrit, prokuroria nuk ka mundur të faktojë ndonjë pagesë apo shtysë tjetër nga persona të tjerë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.
Avokati Mëngjesi është ende në intubim në spitalin e Traumës, por mjekët janë optimistë pasi edema (ënjtje) që ka në një zonë të trurit nuk është zmadhuar. Të paktën për momentin nuk vlerësohet ndonjë ndërhyrje kirurgjikale. Avokati u vizitua ditën e djeshme në spitalin e Traumës nga drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dhe zv/drejtori Alket Shatro, si dhe Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Mëngjesi u dhunua më 29 maj, në zonën e ishBllokut në Tiranë vetëm pak minuta pasi kishte lënë djalin e vogël në kopsht. Një prej autorëve të vetëdorëzuar Dorian Alia, ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano. I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45-vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë ç’ka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit. Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor./ZËRI