
TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arrestimi i Robert Kullës, djalit të Nehat Kullës.
Sipas njoftimit të policisë së Tiranës, 43-vjeçari është arrestuar pasi ka dhunuar njerkën e tij, pas një konflikti pronësie. Mësohet se konflikti ka qenë i mëparshëm dhe se gruaja e Nehat Kullës ka pasur urdhër-mbrojte prej Kullës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Vetëgjyqësia”, dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtje dhe me vetëgjyqësi i ka thyer çelësin e bravës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Robert Kulla nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai është arrestuar në shtator të 2016 si autor i dyshuar i një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, më 9 gusht të 2016.
Në shtëpinë e Kullës në atë kohë policia gjeti disa mijëra euro të cilat dyshoheshin se ishin grabitur në bankën e nivelit të dytë.
Por prokuroria gjatë kësaj kohe nuk arriti të vërtetojë se paratë ishin të bankës dhe për këtë arsye kërkoi lirimin e tij disa ditë pas arrestimit. /ZËRI