
TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest shtëpie" për kryedemokratin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Në seancën e sotme, trupa gjykuese ka vendosur që të mos e ndryshojë masën e sigurisë për dy të akuzuarit. Edhe sot, Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hedhur poshtë sërish kërkesën e Berishës dhe Malltezit. Kërkesa u paraqit prej avokatëve në seancën e informacioneve dy mujore ku u kërkua dhe heqja e masës, por kërkesa e tyre nuk u pranua.
Avokati Gjokutaj në një deklaratë për media tregoi se çfarë ndodhi brenda sallës së gjyqit. Genc Gjokutaj akuzoi sërish Prokurorinë e Posaçme duke thënë se po sillej si një parti politike, por shtoi se "beteja" vazhdon.
"Gjykata vendosi siç kërkoi prokuroria. U rrëzua kërkesa për revokimin e masës. Ajo që është interesante është fakti që dirigjenca 2-mujore, ishte kopje e 2 muajve para. Të njëjtat fakte, kishte një shtesë për ndërtimet që kishin apo jo mbrojtje nga zjarri. Kjo ishte një risi që do i japë shtysë shumë të madhe hetimeve. U shty sepse janë shumë fashikuj që duhet t’i prezantojnë për faktet e reja, por është i njëjti tekst. Ky është një skandal më vetë, ndërkohë lideri i opozitës vijon në arrest në shtëpi, pa u kryer hetimi. Ne kemi dokumentuar shkeljet skandaloze të këtyre gjykatave, janë humbur disa beteja, por nuk është humbur lufta. Këtë luftë ne do ta fitojmë, nuk e di se kur. Në gjyq është dyluftim. SPAK po sillet si një parti politike, po ndjekim rrugën ligjore, si i vetmi mjet i sigurt, për të na dërguar te e drejta. Këta bëjnë sikur s’dëgjojnë, por në fund do ta marrin përgjigjen,"-tha Gjokutaj.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndodhen në arrest shtëpie. Berisha akuzohet për korrupsion, vepër që parashikon një dënim nga 3 deri në 12 vite burg. Për shkak të moshës së tij të thyer, SPAK pritet që ti kërkojë GJKKO masën e sigurisë arrest shtëpie për liderin historik të demokratëve. Ai akuzohet se ka shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, për t’i dhënë një sipërfaqe të konsiderueshme toke dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, i cili e ktheu atë në një kompleks banimi me 17 kulla, duke marrë më shumë se 5 milionë euro nga investimi në këtë truall. Malltezi u vu në pranga në datën 21 Tetor dhe më pas u lirua. Kjo pasi edhe ai dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i Partizanit, për të ndërtuar më pas komplekse banimi./ZËRI