TIRANË- Pas shqetësimeve të qyetarëve dhe disa deputëetëve për çmimet e larta të produkteve të shprotës, ka ardhur reagimi i Autoritetit të Konkurrencës.
Përmes një njoftimi zyrtar, Autoriteti njofton se ka nisur një monitorim të tregut të shitjes me pakicë të produkteve të shportës. Monitorimi do të zhvillohet në supermarketet kryesore në vend, duke synuar krijimin e një panorame të plotë të zhvillimeve të çmimeve në treg.
Konkurrenca njofton se analiza do të përfshijë periudhën nga 1 janari 2025 deri në qershor 2026. Të dhënat do të bazohen mbi shitjet, strukturën e konsumit dhe ecurinë e çmimeve të 30 produkteve të shportës që zënë peshën më të madhe në shitje.
“Monitorimi synon të analizojë ecurinë e çmimeve, strukturën e konsumit dhe të dhënat mbi shitjet gjatë periudhës 1 janar 2025- qershor 2026, me qëllim vlerësimin e funksionimit të konkurrencës në një treg që ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve shqiptare.”- thuhet në njoftim.
Autoriteti u ka kërkuar subjekteve të paraqesin informacion të detajuar mbi shitjet totale për vitin 2025 dhe periudhën janar-qershor 2026.
Njoftimi i plotë:
Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e tregut të shitjes me pakicë të produkteve të shportës në rrjetin e supermarketeve kryesore të vendit
Në vijim të ankesave të qytetarëve dhe shqetësimit të ngritur nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të shitjes me pakicë të produkteve të shportës në rrjetin e supermarketeve kryesore të vendit.
Monitorimi synon të analizojë ecurinë e çmimeve, strukturën e konsumit dhe të dhënat mbi shitjet gjatë periudhës 1 janar 2025 – qershor 2026, me qëllim vlerësimin e funksionimit të konkurrencës në një treg që ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve shqiptare.
Në këtë kuadër, supermarketet kryesore do të paraqesin informacion mbi shitjet totale, si edhe të dhëna për 30 produktet që zënë peshën më të madhe në shitjet e tyre. Këto të dhëna do t'i nënshtrohen një analize të detajuar krahasuese për të vlerësuar sjelljen e tregut dhe funksionimin e konkurrencës.
Autoriteti i Konkurrencës mbetet i angazhuar për garantimin e tregjeve të hapura, konkurruese dhe transparente, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe mirëqenies së konsumatorëve.
ZËRI ka raportuar edhe më parë problemin e rritjes së çmimeve të produkteve të shportës, duke bërë edhe një hulmtim të disa produkteve në disa supermarkete si në vend ashtu edhe jashtë, nga ku ka dalë se shqiptarët paguajnë për të njëjtin produkt më shtrenjë se qytetarët në Kosovë apo Itali.
/ZËRI
