TIRANË- Dy ditë pas atentatit të 9 korrikut në Laç, ku mbeti i vrarë Ilir Gjini, policia ka gjetur një armë të dytë zjarri në zonën pranë lagjes “Erdogan”. Sipas burimeve, arma është zbuluar gjatë kontrolleve të imtësishme të kryera nga grupi hetimor, pas dyshimeve të ngritura nga deklaratat e personave të shoqëruar për ngjarjen.
Po sipas burimeve, bëhet fjalë për një armë tip pistoletë me mulli (revolver), karakteristikë e së cilës është se gëzhojat mbeten brenda armës edhe pas shkrepjes. Gjithashtu, janë gjetur dhe 15 gëzhoja e sende të tjera me interes për hetimin. Ndërkohë, pistoleta është dërguar për ekspertizë balistike që pritet të përcaktojë pronësinë e saj.
Ngjarja e rëndë u regjistruar mesnatën e 9 korrikut. Pak para krimit, sipas burimeve, autori dhe viktima janë pikasur në qendër të qytetit të Laçit. Më pas, autori e ka ndjekur deri pranë banesës ku 40-vjeçari banonte dhe ka hapur zjarr ndaj tij sapo ai ka zbritur nga makina e tij. Viktima kishte parkuar automjetin disa metra larg banesës dhe po ecte në këmbë, kur është qëlluar me të paktën shtatë plumba.
40-vjeçari Ilir Gjini, me origjinë nga Miloti, por me banim në Laç, kishte edhe 3 mbiemra të tjerë, Kokaj, Lika dhe Nure. Autori i dyshuar, Emiljan Suti, është shpallur në kërkim nga policia. Suti rezulton me precedentë të theksuar kriminal, i dënuar me 5 vite burg për kanosje për shkak të detyrës, armëmbajtje pa leje, i arrestuar edhe në Belgjikë për vjedhje.
Hetimet vijojnë, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht dinamikën e vrasjes dhe për të identifikuar çdo person të përfshirë në këtë ngjarje./ZËRI