
TIRANË-Gjykata e Lartë prish vendimin e Apelit të Posaçëm që la në fuqi masën “arrest në burg” vendosur ndaj dy ish- drejtorëve të Bashkisë Tiranë nga shkalla e parë në 3 maj të këtij viti. Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici vendosën dërgimin e çështjes për rishqyrtim po në këtë gjykatë, por me tjetër trupë gjykuese.
Treshja e gjyqtarëve nuk mbajti të njëjtin qëndrim për Taulant Tushen, i cili ka akuzë më të lehtë se dy ish drejtorët e tjerë. Vendimi i Apelit u ankimua në Gjykatë të Lartë nga Redi Molla, Mariglen Qato, të cilët prej muajit mars janë në qelinë e paraburgimit për dosjen “5D”, si dhe nga Taulant Tushe, Julian Zanaj dhe Eglantina Zere. Pak ditë më parë, SPAK i shtoi një tjetër akuzë Redi Mollës dhe Mariglen Qatos për “pastrim parash”, ndërsa për Taulant Tushen u kërkua zgjatje e veprimeve hetimore me 3 muaj, kërkesë e cila u pranua nga GJKKO.
Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se kanë krijuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato.
I pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC. Qato dhe Molla u arrestuan pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre, ndërsa 5 zyrtarë të tjerë u lanë në masën e arrestit “detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjykata ka vendosur gjithashtu arrest me burg edhe për Taulant Tushën, një tjetër ish-drejtues i rëndësishëm i Bashkisë së kryeqytetit që ndodhet aktualisht në qeli për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Të gjithë së bashku, sipas SPAK, gjatë kohës që ushtronin detyrën favorizonin kompanitë e tyre për të përfituar nga tenderat publikë./ZËRI