
TIRANË-Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat ka njoftuar se deputeti Ervin Salianji do të dorëzohet në Policinë e Tiranës, ndërsa lajmëroi ndërprerjen e marrëdhënieve institucionale me shumicën socialiste, në Kuvend. Demokrati u shpreh se do përshkallëzojnë aksionin politik nga data 6 tetor, me protestën e thirrur dje në mbledhjen e Kryesisë së PD. Bardhi u shpreh se e respektojnë vendimin e Salianjit për tu dorëzuar në Polici dhe shprehet se sakrifica e tij duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për këdo.
Gazment Bardhi: Qëndrimi i grupit të PD është që ne ndaj kësaj padrejtësie nuk do nënshtrohemi. Qëndrimi unimanim ka qenë kërkesa që Salianji të mos e zbatojë vendimin politik të Edi Ramës. Vendimi ka qenë që është detyra jonë, e të gjithë grupit, është që sugjerohet ngujimi i të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike në seli.Krahas vendimit politik të grupit, jemi të detyruar që të respektojmë vendimin personal të Salianjit, i cili ka vendosur që të përballet me të keqen. Kjo sakrificë e Salianjit do të duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për këdo prej nesh. Ne e respektojmë vendimin e Salianjit. Mirëpo, fakti që ligjërisht ai vendim është në fuqi edhe pse efektet nuk i prodhon pa u mbledhur Këshilli i Mandateve, pa i dhënë mundësi për rekurs. Grupi i PD ka vendosur që nga ky moment, me burgosjen e deputetëve të opozitës nuk ka për të pasur asnjë marrëdhënie normale institucionale me shumicën në Kuvendin e Shqipërisë. Do përshkallëzojmë aksionin politik nga data 6 tetor, me protestën e thirrur dje dhe që pritet të konfirmohet dhe vijimin e rezistencën e përballjes në çdo rrugë e lagje. Kjo nuk është betejë që ne e bëjmë për parti, por e bëjmë për Shqipërinë. Për 34 vite nuk ka ndodhur kurrë që një deputet . E siguroj Edi Ramën që nuk tremb asnjë në këtë godinë por na jep edhe më shumë forcë se ajo që kemi bërë deri më tani për t'u përballur me mostrën politike që shqiptarët kanë parë gjatë këtyre viteve.
Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI