
TIRANË- Jamarbër dhe Argita Malltezi ka depozituar dy padi në Prokurorinë e Tiranës, për prokurorët dhe gjyqtarët që kanë qenë të përfshirë në hetimet dhe vendimmarrjen për dosjen Partizani. Në dy padi të ndara, Argita Malltezi akuzon dy prokurorët e SPAK Enkelejda Millonai dhe Arben Kraja, si dhe dy gjyqtaret Ilirjana Olldashi dhe Irena Gjoka, për disa akuza penale si “Shpërdorim i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme” kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 248, 250, 251. Ndërkohë që Jamarbër Malltezi ka kallëzuar penalisht vetëm dy prokuroret e SPAK, me pretendimin se i kanë ngritur një akuzë pa baza ligjore. Sipas Malltezit ai akuzohet për korrupsion të funksionarëve publikë, edhe pse nuk ka mbajtur kurrë një post zyrtar.
Pjesë nga padia e Argita Malltezit
Prokurorët Enkeleda Millona dhe Arben Kraja kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim të parashikuar nga neni 248 i K.Penal sipas të cilit: “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.”; “Kryerja e veprimeve arbitrare” të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal sipas të cilit: “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet.”, dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme” të parashikuar nga neni 251 i K.Penal sipas të cilit: “Mosmarrja e masave ose moskërkimi pranë personit kompetent, që të ndërpritet gjendja e paligjshmërisë si rezultat i një veprimi arbitrar, që ka prekur lirinë e shtetasit, nga ana e personit të ngarkuar me një funksion shtetëror ose në shërbim publik, që vjen në dijeni të asaj gjendjeje për shkak të funksionit apo shërbimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.”, vepra penale që janë konsumuar në bashkëpunim edhe me gjyqtaret Irena Gjoka dhe Ilirjana Olldashi.
Prokurorët znj.Enkeleda Millona dhe z.Arben Kraja, si dhe gjyqtarët znj.Irena Gjoka dhe znj.Ilirjana Olldashi kanë konsumuar veprën penale “Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme” në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Në seancat gjyqësore të zhvilluara në datat 30.07.2024, 13.09.2024, në të cilat kanë qënë të pranishëm prokurorët znj.Enkeleda Millona dhe z.Arben Kraja kanë ardhur në dijeni në lidhje me kërkimin e personit nën hetim z.Sali Berisha për revokimin e masës së sigurimit, për shkak të paligjshmërisë së ekzekutimit të masës së sigurimit “detyrim për paraqitje në polici gjyqësore” që ka qënë “shkaku” i vetëm për të cilin është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi”, dhe megjithëse nuk kishin asnjë argument për të kundërshtuar këtë pretendim të z.Sali Berisha, përsëri prokurorët nuk morën asnjë masë për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme ndaj z.Sali Berisha, që provon dashjen në kryerjen e veprimeve të tyre, për cënimin e lirisë së tij.
Po ashtu as nga gjyqtarët znj.Irena Gjoka dhe znj.Ilirjana Olldashi nuk u mor asnjë masë për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme, duke shkelur detyrimet e parashikuara në nenin 251 të K.Penal për punonjësit publikë që vijnë në dijeni të kësaj gjendjeje.
Ndërkohë që Jamarbër Malltezi, në padinë e tij, kundër funksionarëvë të lartë të drejtësisë, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai, për veprat penale “Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale” parashikuar nga neni 313 i K.Penal, “Falsifikimi i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/3 I K.Penal, të kryera në bashkëpunim, sipas nenit 25 të Kodit Penal.
Pjesë nga padia e Malltezit
Në datën 11.09.2024 shtetasit Enkeleda Millona dhe Arben Kraja, prokurorë pranë Prokurorsë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kanë marrë vendimin “Për marrjen e personit si të pandehur dhe njoftimin e akuzës”. Në faqen 4 të këtij vendimi Prokurorët Enkeleda Millona dhe Arben Kraja kanë shkruar: “Subjekti që kryen korrupsionin pasiv duhet të jetë zyrtar, pavarësisht se mita është për të apo ndonjë person të tretë.”
Pavarësisht këtij arsyetimi, me këtë vendim prokurorët Enkeleda Millona dhe Arben Kraja më kanë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” të parashikuar nga neni 260 i K.Penal.
Me këtë veprim të kallëzuarit qartësisht provojnë që janë në dijeni se unë nuk mund të jem subjekt i veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” të parashikuar nga neni 260 i K.Penal sa kohë që nuk kam qënë “funksionar i lartë shtetëror” apo “i zgjedhur vendor”, pra “zyrtar”, por megjithëse e dinë këtë fakt, dhe janë në dijeni edhe të ligjit, të interpretuar prej tyre në faqen 4 të vendimit për njoftimin e akuzës, përsëri kanë ushtruar ndjekjen penale duke më marrë të pandehur për një vepër penale për të cilën nuk jam subjekt.
Me këtë veprim prokurorët kanë konsumuar veprën penale “Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale” të parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal sipas të cilit “Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale nga prokurori kundër një personi që dihet se është i pafajshëm dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.”
Që të konsiderohet e kryer kjo vepër penale, duhet që personi ndaj të cilit fillohet ndjekja penale “dihet se është i pafajshëm”. Fakti që unë nuk kam qënë ndonjëherë zyrtar i lartë shtetëror, për pasojë nuk jam subjekt i veprës penale për të cilën është ngritur akuza është i njohur publikisht, përveçse është pretenduar prej meje në çdo seancë gjyqësore, pra plotësohet elementi i parashikuar nga dispozita “dihet se është i pafajshëm”. Fakti që edhe prokurorët kanë këtë bindje, provohet me arsyetimin e tyre në aktin me të cilin më kanë komunikuar akuzën, faqa 4 i këtij vendimi, rreshti i pestë. Veprimet e të kallëzuarve janë kryer me dashje direkte, konfirmuar nga nënshkrimi i tyre personalisht në këtë akt.
Bazuar në sa më lart kërkoj ndjekjen penale të Prokurorëve Enkeleda Millona dhe Arben Kraja pranë Prokurorsë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për kryerjen e veprës penale “Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale” të parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal, vepër që është kryer prej tyre nën rrethanën rënduese të bashkëpunimit, në formën e bashkëekzekutimit, pasi akti është nënshkruar prej të dy të kallëzuarve.
Çifti ka zgjedhur që kallëzimet t’i dërgojë në Prokuroinë e Tiranës, edhe pse hetimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve, që janë funksionarë të lartë, janë subjekt i Prokurorisë së Posaçme. /ZËRI