
TIRANË- Edhe pse Ervin Salianji u shpreh dje i gatshëm që të vetëdorëzohej në Polici për të vuajtur dënimin me 1 vit heqje lirie, duket se Partia Demokratike ka vendosur ndryshe! Në mbledhjen e sotme të grupit të Partisë Demokratike u vendos që deputeti Salianji të mos vetëdorëzohet tek Policia. Madje, kanë vendosur që të mbajnë të "ngujuar" brenda selisë blu për aq kohë sa do ta shohin të arsyeshme.
Përveçse do të ngujohet, Salianjit do të ruhet nga kolegët e tij deputetë, të cilët do të qëndrojnë bashkë me të në selipër ta ruajtur nga ndonjë arrestim i mundshëm. Pra edhe pse vetë deputeti ishte i gatshëm që të vuante dënimin, demokratët i kërkojnë që të mos e mbajë "premtimin publik", duke e cilësuar dënimin e tij si një vendim politik të kryeministrit Edi Rama.
Bardhi propozon grupit: Mos pranimin e padrejtësisë, grupi parlamentar ti kërkojë Ervin Salianjit të mos ekzekutojë vendimin politik të Edi Ramës. Grupi Parlamentar të ngujohet 24 orë pa ndërprerje, pa afat, në selinë e Partisë Demokratike.
Mbetet për t'u parë sesa do ta respektojë Salianji vendimin e grupit parlamentar. Pasi teksa mbledhja zhvillohej, deputeti ishte në një konferencë për mediat dhe i pyetur nga gazetarët nëse do vetëdorëzohej në polici, Salianji u shpreh se do të mbajë fjalën e tij dhe do të vuajë dënimin që i është caktuar nga Gjykata e Apelit.
“Qëndrimi im nuk ndryshon. Do të jem aty ku e ka caktuar regjimi. Do ti bëj të gjitha veprimet e mija që kanë të bëjnë me komunikimin me publikun dhe vendimmarrje e PD. Unë as nuk kam fituar personalisht nga kjo, madje në shumë dimensione kam humbur. Se është sakrificë të përballesh me të gjithë institucionet shtetërore dhe cdo grup që I shërben atyre apo njëri tjetrit për të mbajtur këtë pushtet në këmbë. Nuk është cështje që ka nisur për shkak të një interesi vetjak, është çështje që i tejkalon interesat personale. Do dëgjoj kolegët por kam vendimmarrjen time. E kam thënë dhe dje,"- tha Salianji.
Por po ashtu, shtoi se do të respektonte edhe vendimin e grupit parlamentar. Ndaj mbetet për t'u parë nëse Salianji do të vetëdorëzohet, apo do të pranojë ngujimin në selinë e PD-së.
Mbledhja e grupit u zhvillua, fill pasi 5 deputetë (Luçiano Boçi, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj dhe Edi Paloka) shkuan për të diskutuar me kryedemokratin Sali Berisha. Ky i fundit për takimin me ta "theu" edhe masën e sigurisë që i ka vendosur SPAK dhe GJKKO, ku i ndalohet të takohet apo të diskutojë me persona të tjerë veç atyre që bashkëjeton./ZËRI