
TIRANË- Në një kohë që në Kuvend dhe në policinë e Tiranës ka mbërritur shkresa ku kërkohet arrestimi i tij, Ervin Salianji ka dalë në një konferencë me gazëtarët, e cila do të jetë e fundit, përpara se të drejtohet në qelinë e burgut për 1 vit.
Salianji tha se nga dita e sotme ai është një i dënuar politik, ndërsa tha se kryeministri Edi Rama, që nuk komenton vendimet e gjykatave, u detyrua dje të bënte disa reagime.
Deputeti i Partisë Demokratike tha se dënimi i tij është një precedent i rrezikshëm, sa kohë që ai ka bërë një denoncim publik, dhe nuk ka prova që të ketë ndërhyrë në manipulimin e provave.
“Sot unë jam i dënuar politik me urdhër të Fatmir Xhafës dhe porosi të Ramës. Rama e paralajmëroi vendimin në seancë. Pse Rama u detyrua të komentonte një vendim gjyqësor?
Në çdo deklarim të mëparshëm ka thënë nuk komentoj vendimet e gjykatave, çfarë e detyroi të shkelte standardin? Që ishte i tërbuar nga një vendim gjyqësor? Kënaqësinë e mori, ndalimin për kandidimin për deputet e arriti, çfarë e shqetësoi nga ky vendim?”, u shpreh Salianji.
“Unë po shkoj sot në burg si një politikan i ri i opozitës, që ka dëshmuar me prova shqiptare dhe italiane, lidhjen e ministrit të brendshëm dhe familjarëve të tij, me trafikun e drogës. Ka shumë që thonë se kjo është një goditje në brez, por unë do t’iu shkoj përballë. Do më kenë sot, pas një viti, gjatë këtij viti, derisa këta të rrënohen dhe rrëzohen”, vijoi Salianji gjatë fjalës së tij.
“Si ka mundësi që krerët e opozitës, janë ose në burg apo në ndjekje penale. Sali Berisha iu mori 600 mijë vota pa vulë, dhe më pas i vunë prangat. As që mund të mendohet, se do të dorëzohemi, është dita jonë e forcës, në 6 Tetor duhet të mblidhemi në Tiranë, pasi ata nuk mund ta shfarosin opozitën. Do të jemi gjithmonë dhe do të jemi këtu”.
Gjatë konferencës, Salianji njoftoi dhe kallëzimin penal në emër të grupit të PD-së, për ish-ministrin Fatmir Xhafaj, ku i kërkohet Prokurorisë së Posaçme, që të hetojë pasurinë e socialistit, duke iu referuar ligjit antimafia./ZËRI