
TIRANË- Po, ka pasur një komunikim mes Lulzim Bashës dhe Ervin Salianjit! Telefonatën e ka pranuar vetë deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Teksa po mban një konferencë të fundit me gazetarët para arrestimit të tij, Salianji tha se ka komunikuar me të gjithë kolegët, pavarësisht se në shumë raste kanë mbajtur qëndrime të ndryshme politike.
PJESË NGA KONFERENCA:
A keni pasur ndonjë komunikim nga Lulzim Basha?
Salianji: E kuptoj kërshërinë, por Fokusi sot duhet të jetë tek kapja e drejtësisë. Ky është dënimi i parë i një politikani për agjitacion dhe propagandë. Pra është një betejë e zhvilluar me fjalë. Edi Rama thoshte në rastin e Gazit se t'i nuk e çove kallëzimin se do përfundojë si ky tjetri. Ndërkohë unë nuk kam çuar kallëzim. Po kam pasur komunikim me të gjithë politikanët kryesorë të opozitës. Të gjithë kanë shprehur solidaritet pavarësisht qëndrimeve. Nuk kam parë ndonjë njeri, përveç atij që nuk i komentonte qëndrimeve të gjykatave...
Gjykata e Apelit la dje në fuqi vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Tiranës, që e dënoi deputetin e Partisë Demokratike me 1 vit burg, për akuzën e kallëzimit të rremë për dosjen ‘Babalja’. Vendimi i Gjykatës së Apelit i hap rrugë arrestimit të Salianjit, i cili pritet të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Salianji humb në mënyrë të menjëhershme mandatin e deputetit, për shkak se vendimi i Apelit ekzekutohet pa vonesa, edhe pse politikani demokrat, mund ta apelojë çështjen në Gjykatën e Lartë. Neni 71, pika 2, shkronja dh, e Kushtetutës, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në këtë mënyrë merr fund dhe karriera në ngjitje e Salianjit, i cili së fundi ishte caktuar drejtues politik i PD-së për qarkun e Elbasanit. Dënimi e pengon Salianjin që për 5 vitet e ardhshme të ushtrojë detyra publike./ZËRI