Politikë

Do prangoset në seli apo do shkojë vetë në drejtorinë e policisë? Salianji: Do marr edhe mendimin e kolegëve

Salianji theksoi qëndrimin e tij, se nuk ka ndërmend që t’i shmanget përballjes, edhe pse kjo do të thotë që ai duhet të vuajë një dënim me 1 vit burg

E.K
Do prangoset në seli apo do shkojë vetë në drejtorinë e
ervin salianji

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, në konferencën e tij të fundit me gazetarët, përpara burgosjes, tha se që nga dita e djeshme ai është një i dënuar politik. Salianji tha se vendimin nëse do të vetëdorëzohet në drejtorinë e policisë, do e diskutojë me kolegët e Partisë Demokratike.

Deputeti demokrat tha se në rastin e tij duhej të ishte pritur zbardhja e vendimit të Gjykatës së Apelit, në mënyrë që më pas të ekzekutohej dënimi me 1 vit burg, pasi ai nuk kishte ndërmend që të largohej nga vendi, dhe të shmangte përballjen.

Ervin Salianji: Unë kam komunikuar që dje si me prokurorinë ashtu dhe me policinë, se jam gati për gjithçka, se këta nuk të gjejnë dot. Duke qenë se e kanë me nxitim, pa u zbardhur vendimi i Gjykatës së Apelit, ata kanë dërguar shkresën dhe është hedhur shorti në Prokurori. Duhet të kishte një mbledhje të Këshillit të Mandatit dhe të Rregullores, mos të themi që duhet të kishte një kërkesë për opinion nga Komisioni i Venecias. Kjo bëhet për të penguar kandidimin tim. Në lidhje me vendimmarrjen nëse do të jem këtu, apo të shkoj atje, do të marr edhe mendimin e kolegëve në mbledhjen e grupit parlamentar.

Salianji tha se ndaj tij ka pasur një solidaritet të madh jo vetëm nga kolegët, por edhe nga qytetarë dhe mbështetës të shumtë. 

Salianji: Ky është dënimi i parë në 34 vite, i një politikani për agjitacion dhe propagandë. Është një betejë e bërë në fjalë, pra nuk ka kallëzim. Kam pasur komunikim me të gjithë politikanë kryesor të  opozitës. Të gjithë kanë shprehur solidaritet, pavarësisht qëndrimeve që kemi pasur. Edhe deputetë që nuk janë zyrtarisht në PD kanë mbajtur qëndrim. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB