
TIRANË- Dy ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, Redi Mollës dhe Mariglen Qatos i është shtuar një tjetër akuzë nga SPAK. Prokurori i çështjes "5D", Klodian Braho ka vendosur që të rëndojë pozitën e Mollës dhe Qatos, duke i akuzuar edhe për "pastrim parash". Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga 7-15 vite heqje lirie.
Vendimi për shtimin e një tjetër akuze nga SPAK u njoftua në seancën e sotme në GJKKO. Ndërkohë që për Taulant Tushen, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar zgjatjen e afateve hetimore me 3 muaj të tjerë. Kërkesë kjo që u pranua nga Gjykata e Posaçme.
Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar se kanë krijuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato.
I pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC. Qato dhe Molla u arrestuan pasi Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre, ndërsa 5 zyrtarë të tjerë u lanë në masën e arrestit “detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore”. Gjykata ka vendosur gjithashtu arrest me burg edhe për Taulant Tushën, një tjetër ish-drejtues i rëndësishëm i Bashkisë së kryeqytetit që ndodhet aktualisht në qeli për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Të gjithë së bashku, sipas SPAK, gjatë kohës që ushtronin detyrën favorizonin kompanitë e tyre për të përfituar nga tenderat publikë./ZËRI