Aktualitet

200 mijë euro për “kokën” e Xheladin Krujës/ Drejtoria e Burgjeve për ZËRI: E kemi 'lëvizur' nga burgu i Peqinit

ZËRI kontaktoi menjëherë me zyrën e shtypit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të marrë më shumë informacione lidhur me masat që janë marrë për mbrojtjen e Xheladin Krujës.

k.m.
200 mijë euro për “kokën” e Xheladin Krujës/
Foto ilustruese

TIRANË- Më 15 dhjetor, siguria e burgut të Peqinit u trondit nga një vrasje e ndodhur brenda qelisë, ku Sokol Mjaçaj qëlloi për vdekje Arben Lleshin. Megjithatë ky i fundit nuk ishte shënjestra e vetme për t’u ekzekutuar brenda burgut të Peqinit, por edhe shkodrani Xheladin Kruja. Kështu të paktën ka pretenduar Indrit Shaqja, i cili mbeti i plagosur po atë ditë pasi ndante qelinë me viktimën Lleshi. Sipas të dhënuarit për vrasje, Arben Lleshit i kishte shkuar një letër anonime ku i bëhej me dije se ishin ofroheshin nga 200 mijë euro secili për “kokën” e tij dhe të Xheladin Krujës.

“Gjatë gjithë kohës që ka qenë në burg dy herë në sportelin e derës së dhomës ka gjetur dy letra të shkruara me shkrim dore, një rreth katër vjet më parë dhe tjetrën rreth një viti e gjysmë më parë në burgun e Peqinit me të njëjtën përmbajtje se do të paguajmë 200 mijë euro, do të sigurojmë dhe helmin që ty ta kryesh vdekjen e atij Arben Lleshit, nëse je dakord me të dyja rastet i kanë thënë se nëse je dakord na kthe përgjigje me letër. Është deklaruar gjithashtu se në të dyja rastet letrat ia ka dhënë shtetasit Arben Lleshi për të cilin deklaroi se ka dijeni gjithë burgu, kam pasur marrëdhënie të mira në Fushë Krujë ndërsa më pas i ka prishur për shkak se i përbuzte fenë ky dënuar. Në Peqin ka qenë për 3 muaj në regjim të posaçëm se ju kap telefoni në dhomë. Në vijim ka deklaruar se një anonim i ka dërguar letër Arben Lleshit tek dhoma se e paralajmërojnë se për kokën tënde po paguajnë 200 mijë euro dhe për Xheladin Krujën 200 mijë euro,”-tregoi Shaqja.

Ndaj edhe duke marrë shkasë nga rrëfimi i tij, ZËRI kontaktoi menjëherë me zyrën e shtypit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të marrë më shumë informacione lidhur me masat që janë marrë në mënyrë që Kruja, të mos të ketë të njëjtën fat me tashmë të ndjerin Arben Lleshi.

"Çfarë masash keni marrë që i dënuari Xheladin Kruja të mos ketë fatin e të ndjerit Arben Lleshi? A do ta zhvendosni të dënuarin Kruja në një tjetër institucion të vuajtjes së dënimit? Nëse po, ku dhe me çfarë arsyetimi?,"-ishin pyetjet e drejtuara nga redaksia e ZËRI-t. 

Ndërsa në përgjigje, Drejtoria e Burgjeve ka pohuar se Kruja është zhvendosur në një tjetër institucion vuajtje dënimi, por nuk kanë dhënë më shumë detaje, për shkaqe sigurie.

"Në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, ështe hartuar plani i masave në bazë të praktikave që janë në fuqi për garantimin e sigurisë, për të gjithë të dënuarit dhe të paraburgosurit. Sa i përket pyetjes së dytë, i dënuari është zhvendosur në një IEVP tjetër, për shkaqe sigurie, IEVP ku është transferuar nuk e bëjm publike,"-bëri me dije Drejtoria e Burgjeve.

Por kush është Xheladin Kruja për të cilin ofrohen 200 mijë euro për ta vrarë?

Xheladin Kruja akuzohet se ka vrarë dy vëllezërit Eliton dhe Enton Grezda, 20 dhe 18 vjeç në lagjen “Naim Gjylbegu” në Shkodër, ngjarje kjo e ndodhur më 3 maj të vitit 2001. Krimi i rëndë ndodhi pas një grindjeje mes të rinjve kur edhe Kruja ishte asokohe 22 vjeç. Pas sherrit ai shkoi në shtëpi, mori automatikun dhe qëlloi me breshëri drejt dy vëllezërve. Ai u largua nga vendi i ngjarjes por u arrestua dy ditë më vonë. Në vitin 2013, Xheladin Kruja, asokohe 34-vjeç, tentoi të vriste ish- kreun e komunës Rrethina, Kleves Muja, i cili ndodhej në burgun e Shën Kollit. Falë edhe pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së burgut, Xheladin Kruja e goditi në qafë Mujën me një tub të modifikuar si thikë, pikërisht pasi ai po kthehej në qeli pasi një takimi me familjarët. Për ngjarjen e ndodhur brenda qelisë së burgjeve, Gjykata e Shkodrës vendosi që ai të dënohej me 16 vite e 8 muaj heqje lirie. Dënim që e vazhdon edhe sot...por tashmë në një tjetër burg./ZËRI

Poll

MOS HUMB