
TIRANË-Gjykata e Posaçme ka vendosur masë sigurie ndaj kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike Jonaid Myzyri, i cili u mor i pandehur nga SPAK. GJKKO ka pezulluar nga detyra Myzyrin, si dhe i ka caktuar masën e sigurisë detyrim paraqitje. Myzyri është duke u hetuar për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “falsifikim dokumentesh” në një procedurë prokurimi të ARRSH-së me fond mbi 219 milionë lekë, për mirëmbajtjen e rrugës që kalon nga Rrësheni në Shpal dhe zona të tjera përreth.
Gjatë shqyrtimit të procedurës së mësipërme, Komisioni i Prokurimeve në mënyrë të paligjshme ka favorizuar bashkimin e dy operatorëve ekonomike ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuar. Më datë 24 qershor kreu i Prokurimeve Publike u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK.
Së bashku me Myzyrin janë edhe 10 të tjerë të marrë të pandehur nga SPAK për këtë tender: Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj, Enkelejda Bega, Vladimir Hodaj, Marjana Hasani, Mehdi Lala, Ardian Kaza, Ndoc Kulla dhe Gerald Adhiaj.
NJOFTIMI I SPAK:
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, në kuadër të procedimit penal 175/1 i vitit 2022*, me vendimin nr.61, datë 30.06.2025, ka caktuar masën e sigurisë ndaj shtetasit, J. M., i cili mban detyrën e Kryetarit të Komisionit të Prokurimeve Publike, i dyshuar për kryerjen e veprës penale: “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal, të cilit i është komunikuar akuza.
Masa e vendosur përfshin“Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”,parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, si edhe atë të sigurimit personal me karakter shtrëngues,“Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka dërguar për ekzekutim vendimin, nr.61, datë 30.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Objekti i këtij procedimi penal ka qenë procedura e prokurorimit, me nr. REF-65268-07-13-2020, “Loti V: “Mirëmbajtje rutinë me përformancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa tvsh, zhvilluar më datë 18.9.2020, me autoritet kontraktor Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).
Shqyrtimi i procedurës nga ana e autoritetit kontraktor ka pasur paligjshmëri, të cilat Komisioni i Prokurorimit Publik nuk i ka marrë në konsideratë./ZËRI