
TIRANË– Kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP), Jonaid Myzyri është marrë i pandehur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Myzyri është i pandehur për shkelje të barazisë në tendera, vepër penale që dyshohet se është kryer në bashkëpunim.
Çështja po hetohet nga prokurori Elvin Gogaj, ndaj pritet që Myzyri të paraqitet në ditët në vijim në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për t'u njohur zyrtarisht me akuzën. Kryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike u paraqit më 7 prill 2025 në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, por kur doli nga SPAK nuk bëri asnjë deklaratë për mediat.
Myzyri dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në tenderin për spërkatjen e mushkonjave. Në vitin 2023 është zhvilluar tenderi me disa lote për dezisektimin e zonave urbane dhe bregdetare, duke filluar nga Velipoja për të përfunduar në Ksamil. Kanë qenë disa firma në garë, por shkelje të mëdha janë gjetur në lotet e Fierit dhe Vlorës.
Megjithatë nuk ka ende një konfirmim nga SPAK nëse është kjo çështja që ka vendosur Myzyrin nën akuzë./ZËRI