Aktualitet

Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës në Tiranë, reagon ASHK: Procesi ka nisur 5 vite më parë, qytetarët nuk preken

Përmes një reagimi zyrtar, ASHK sqaron procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021, në kuadër të riorganizimit që synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punë.

zh.ll
Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës në Tiranë, reagon
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK)

TIRANË- Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka reaguar pas kaosit të shkaktaur për transferimin e Kadastrës së Vlorës në Tiranë. Përmes një reagimi zyrtar, ASHK sqaron procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021, në kuadër të riorganizimit që synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punë.

Ndër të tjera, ASHK nënvizon për punonjësit e kadastrës së Vlorës se puna e tyre nuk rrezikohet nga zhvendosja, teksa po ashtu, sqaron dhe qytetarët se nuk preken nga kjo lëvizje. Kadastra thekson se të gjitha shërbimet sot janë të digjitalizuara dhe të avancuara.

DEKLARATA E AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS

Agjencia Shtetërore e Kadastrës vijon punën për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, përmes thjeshtimit dhe lehtësimit të proceseve të brendshme institucionale. Prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.

Të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues. Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar.

Procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë, dhe Vlorë. Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë. Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës.

Falë digjitalizimit dhe përdorimit të sistemeve të avancuara, një jurist mund të përpunojë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe një hartograf mund të kryejë reflektimet hartografike në sistemet përkatëse, pa qenë prezent fizikisht në territorin në të cilin ndodhet prona apo aplikuesi. Sigurojmë banorët e Vlorës se jemi të përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve kadastrale, për të rritur ritmin e legalizimit të ndërtimeve informale si dhe për të përfunduar procesin e Regjistrimit Fillestar në zonat e mbetura në të gjithë qarkun e Vlorës.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës mbetet e angazhuar që, përmes digjitalizimi të proceseve, të ofrojë shërbime gjithnjë e më të shpejta, transparente dhe të besueshme për çdo qytetar, në çdo drejtori vendore.

Kadastra e Vlorës do të zhvendoset në Tiranë, sipas urdhrit të firmosur më datë 23 janar. Ndërkohë, punonjësit e Kadastrës kanë vijuar kundërshtimin e tyre ndaj këtij vendimi, duke firmosur dhe një peticion, pjesë e të cilit është bërë dhe nëndrejtori Sokol Shehaj. Ata kanë pezulluar punën, në shenjë proteste, duke kërkuar rishikimin e këtij vendimi që, sipas tyre, cënon të drejtat e punonjësve dhe shërbimin ndaj qytetarëve të qarkut të Vlorës. Sipas njoftimeve zyrtare, më datë 31 janar pritet të largohet baza materiale e institucionit, ndërsa 55 punonjës do të transferohen në Tiranë. Punonjësit shprehen se ky proces po zhvillohet pa transparencë dhe pa një dialog të mirëfilltë me stafin. Në këtë situatë, punonjësit u bëjnë thirrje përfaqësuesve ligjorë, deputetëve të qarkut të Vlorës, si dhe drejtuesit politik, që të ndërhyjnë dhe të ofrojnë mbështetje për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ata kërkojnë dialog, transparencë dhe rishikim të vendimit, me qëllim që Kadastra e Vlorës të vijojë funksionimin e saj në shërbim të qytetarëve të zonës./ZËRI

Poll

MOS HUMB