Aktualitet

I zhdukur pa gjurmë prej 4 qershorit! Policia: Eglant Koçi u mor peng, në kërkim autori, pranga bashkëpunëtorit (EMRAT)

Blutë bëjnë me dije se në kuadër të hetimeve është bërë e mundur gjetja e motomjetit të Eglant Koçi, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar, Armand Shakaj

F.I
I zhdukur pa gjurmë prej 4 qershorit! Policia: Eglant Koçi u mor
Eglant Koçi

TIRANË-Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi në Tiranë më datë 4 qershor. Autoritetet raportojnë se Koçi dyshohet të jetë mbajtur peng nga Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Ndërkohë në pranga është vendosur Enea Zyferi, 25-vjeç, i cili dyshohet se ka ndihmuar Shakajn për rrëmbimin e 34-vjeçarit.

Blutë bëjnë me dije se në kuadër të hetimeve është bërë e mundur gjetja e motomjetit të Eglant Koçi, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar, Armand Shakaj. Policia dyshon se Shakaj mund ta ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin. Mjeti i përdorur në këtë lëvizje është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.

Hetimet vijojnë ndërsa ende nuk ka asnjë gjurmë nga Koçi. Policia po vijon kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit, si dhe po punohet për kapjen e Armand Shakajt.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë hetimet intensive për gjetjen e shtetasit E. K., 34 vjeç, i denoncuar nga familjarët si i humbur.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim policor 41-vjeçari që dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Arrestohet një 25-vjeçar, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e shtetasit E. K., 34 vjeç, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.

Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit. Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.

Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.

Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K. Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim. Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit. Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve.

Eglant Koçi rezulton i zhdukur prej 4 qershorit. Për herë të fundit Koçi u pa në zonën e 'Sheshit Wilson', ku në pamjet e siguruara nga ZËRI, shihet teksa 35-vjeçari lëviste me motor. Ishin familjarët dhe të afërmit ata që ngritën alarmin, ndërsa burime për ZËRI-n pranë Komisariatit nr. 2 konfirmuan zhdukjen e 33-vjeçarit. 

Poll

MOS HUMB