TIRANË-Sadik Llanaj, autori i dyshuar i vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi, ngjarje e ndodhur mesditën e djeshme (8 qershor) ndodhet ende në arrati. Hetuesit kanë arritur të rindërtojnë lëvizjet e tij deri në zonën e Liqenit të Bovillës.
Forcat speciale RENEA ushtruan kontrolle në rreth 15 objekte në këtë zonë, por pa mundur të gjejnë gjurmë të të kërkuarit. paralelisht me operacionin në Bovillë, kontrolle janë zhvilluar edhe në zonat malore të Krujës, ndërsa burime bëjnë me dije se aksioni do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme. Gjatë kërkimeve, policia ka gjetur të braktisur automjetin që dyshohet se është përdorur nga autori pranë Liqenit të Bovillës.
Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes, grupi hetimor ka marrë në pyetje 8 persona.
Mësohet se Ardian Baloshi ndodhej në rrugë i shoqëruar me persona të tjerë në momentin kur autori i dyshuar Sadik Llanaj i është afruar me automjetin e tij. Sapo është gjendur pranë tyre, Llanaj ka hapur zjarr duke lënë të plagosur rëndë 26-vjeçarin. Dyshohet se mes viktimës dhe autorit ka pasur një konflikt të mëparshëm.