
FIER- Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Azgan Mernicën për vrasjen e punonjësit të policisë së shtetit Novruz Cenalia, ngjarje e ndodhur më 13 Maj 2024 në fshatin Baltëz. Mernica akuzohet për veprat penale ‘Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’.
Nga hetimet ka rezultuar se 28-vjeçari Novruz Cenalia, në momentin kur u qëllua për vdekje, mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja”. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës. Prokuroria në bazë të hetimeve, informon se Azgan Mernica ka nxjerrë pistoletën që mbante me vete dhe ka shtënë drejt fytyrës së efektivit, i cili nuk kishte dalë nga makina, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Vetë Mërnica ka deklaruar se po lëvizte me makinë dhe pasagjere ka pasur nënën e tij dhe duke kaluar në një rrugë në fshatin Baltëz është ndeshur me makinë në rrugë me policin Nevruz Cenalia. Sipas 23-vjeçarit në një moment ka parë që polici ia ka bërë me dorë dhe ka menduar që e ka sharë dhe ofenduar. Në këtë moment ka dalë jashtë makinës për t’u sqaruar dhe ka parë që polici ka afruar dorën te arma e shërbimit dhe sipas tij e ka qëlluar duke menduar se do ta vriste efektivi i pari.
NJOFTIMI:
Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim shtetasin A.M për vrasjen e punonjësit të policisë së shtetit N.C.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.M. për veprat penale ‘Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’, parashikuar nga nenet 79/b, 278 prg.I dhe 291 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.689, të vitit 2024 mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, u provua se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri A.M. ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit N.C, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij.
Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.
Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurirt për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit të llojit pistoletë që mbante me vete dhe ka shtënë drejt fytyrës së viktimës N.C. duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 13 Maj të vitit 2024 në fshatin Baltëz. Effektivi Cenalia kishte dalë nga shtëpia në fshatin Baltëz, ishte veshur me uniformë dhe po shkonte me makinë për të marrë detyrën kur në rrugicë ka parë Azgan Mërnicën që po ngiste makinën me shpejtësi dhe i ka tërhequr vëmendjen. Në këtë moment, 23-vjeçari nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një plumb në kokë la të vdekur në vend efektivin. Azgan Mërnica është vetëdorëzuar në policinë e Fierit mbrëmjen e 15 majit 48 orë pas vrasjes. Ai u kthye në shtëpinë e dajës së tij në Dërmenas, pasi siç pranoi ishte edhe i uritur pasi kishte dy ditë pa ngrënë. Më pas, 23-vjeçari është vetëdorëzuar në Polici pas negociatave nga babai dhe daja i tij. Policia e kishte lokalizuar dhe i kishte thënë familjarëve të Azgan Mërnicës që të vetëdorëzohet, ndryshe do të neutralizohej./ZËRI