TIRANE- Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së turistit portugez në Ksamil. Në një reagim në rrjetet sociale, ministri thotë se kushdo që sfidon ligjin dhe efektivët e Policisë së Shtetit do të marrë një përgjigje shembullore.
“Balanca mes të drejtave të njeriut dhe rendit ligjor vlen për qytetarët dhe mbron shoqërinë. Ata që sfidojnë ligjin dhe linçojnë shërbëtorët e tij, meritojnë përgjigjen më shembullore nga Policia e Shtetit”, shkruan Lamallari.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në orët e para të mëngjesit në Ksamil, atje ku është vrarë me thikë 21- vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendez. I riu u qëllua me thikë për vdekje nga truproja i Principotes, Sokrat Vata, që pas një sherri banal e la të pajetë mbi shezlonet e plazhit dhe u arratis. Arratia mori fund pas 5 orësh kur u arrestua në Levan, i fshehur në bagazhin e një makine, i shoqëruar nga dy shtetasë turq. Policia ka shpallur në kërkim pronarin e Principotes, Bekim Bulica ndërkohë është ndaluar edhe polici i kufirit në Gjirokastër, Moisid Matushaj, pasi dyshohet se e ka ndihmuar të riun. Po në Sarandë, 3 ditë më parë, u dhunua shefi i Krimeve, Mateo Bakalli, pasi ndërhyri në një sherr ku po dhunohej një turist i huaj. Truprojat e Orange e dhunuan efektivin./ZËRI