Aktualitet

Rindërtohet skema e atentatit në Mirditë, Lleshi ndaloi në një lokal...autorët e ndoqën, i zunë pritë dhe e ekzekutuan

Hetuesit dyshojnë se lëvizjet e viktimës janë ndjekur që nga momenti kur ai ka dalë nga banesa

F.I
Rindërtohet skema e atentatit në Mirditë, Lleshi ndaloi në
Valter Lleshi

MIRDITË-Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja në Mirditë, ku Valter Lleshi u ekzekutua me armë zjarri  brenda automjetit të tij tip “Toyota” në fshatin Shkorret mëngjesin e 15 qershorit. Veprimet hetimore dhe dëshmitë e mbledhura deri më tani kanë ndihmuar në rindërtimin e lëvizjeve të viktimës para atentatit dhe atë të autorëve.

Hetuesit dyshojnë se lëvizjet e viktimës janë ndjekur që nga momenti kur ai ka dalë nga banesa dhe autorët janë sinjalizuar për itinerarin e tij dhe i kanë zënë pritë në një kthesë. Lleshi është qëlluar nga një distancë e afërt, duke marrë plagë të shumta në kokë dhe fytyrë.

45-vjeçari kishte dalë nga banesa e tij në Rrëshen rreth orës 06:00 dhe së bashku me një koleg pune ishte nisur drejt kompanisë së bazaltit në Reps, ku punonte. Rreth dy kilometra para vendit ku ndodhi krimi, pasagjeri ka zbritur në një lokal, ndërsa 45-vjeçari ka vijuar rrugën i vetëm. Ky ka qenë edhe momenti ku Lleshi është ekzekutuar. Trupi i tij u gjet brenda mjetit nga një koleg që po shkonte në punë, i cili njoftoi menjëherë policinë. Në vendngjarje u gjetën 18 gëzhoja.

Lidhur me ngjarjen Policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por deri tani dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar në identifikimin e autorëve.

Valter Lleshi ishte punonjës i kompanisë së bazaltit në Spaç, ku mars të këtij viti, kësaj kompanie i ishte vendosur një sasi tritoli në një prej makinerive, e cila nuk kishte shpërthyer. Asokohe Lleshi i shpëtoi atentatit. Ende nuk dihen shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë, ndëra policia po heton më shumë mbi rastin. 

Poll

MOS HUMB