ITALI-Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 24-vjeçarit shqiptar në Itali, Nurian Dalipaj, i cili humbi jetën pasi u godit me thikë në fyt nga Mattia Miraglia, 32 vjeç më 3 gusht. Mediat italiane raportojnë se sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, gjithçka nisi me një debat në një bar në Cremona, ku punon ish-e dashura e Miraglias.
Rreth orës 23:00, ai shkoi në lokal dhe pa vajzën duke biseduar me Dalipajn, mikun e saj prej kohësh, si edhe me një të ri tjetër që ende nuk është identifikuar. Miraglia dyshohet se i kërkoi shqiptarit ta ndiqte jashtë lokalit, në rrugë. Fillimisht të dy biseduan, por më pas u konfliktuan me grushte. Personat e pranishëm i ndanë dhe 32-vjeçari u kthye në makinë dhe shkoi në shtëpinë e tij në Vescovato, në rrugën Via Cairoli.
Pak më vonë, para banesës së tij mbërriti Dalipaj së bashku me dy vëllezërit. Sipas hetuesve, Miraglia i dëgjoi që po vinin, zbriti nga shtëpia me një thikë kuzhine në dorë dhe u kërkoi të largoheshin. Më pas të rinjtë u konfliktuan me njëri-tjetrin.
Vëllezërit Dalipaj u larguan me makinë drejt Spitalit Maggiore në Cremona, ku 24-vjeçari dhe 20-vjeçari mbërritën në gjendje të rëndë. Nurian Dalipaj humbi jetën pak më vonë, ndërsa vëllai i tij iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Ai ndodhet i shtruar në repartin e terapisë intensive dhe gjendja e tij është e qëndrueshme.
Dy miq të Miraglias shprehen të habitur:
"Nuk do ta kishim menduar kurrë se mund të përfundonte kështu. Shkaku ishte një vajzë me të cilën të dy kishin pasur një lidhje. Edhe një muaj më parë, Dalipaj kishte shkuar para shtëpisë së mikut tonë. Atëherë Mattia thirri karabinierët; edhe kësaj here duhej të kishte vepruar njësoj, por nuk e dimë çfarë i ndodhi. Ishte një situatë që zgjatej prej kohësh. Mattia është provokuar, nuk kemi shpjegim tjetër”, thanë ata.
Autori ndodhet nën mbikëqyrje policore në Spitalin Maggiore, në gjendje arresti, nën hetim për vrasje dhe tentativë vrasjeje.
