TIRANË- Mbi 14.6 milionë tentativa për sulme kibernetike janë regjistruar ndaj infrastrukturave të skosistemit kibernetik shqiptar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Përmes një postimi në rrjete sociale, AKSK ka publikuar shifrat, ku bën me dije se janë evidentuar mesatarisht 56.4 tentativa sulmesh çdo minutë.
Sipas njoftimit, në shënjestër kanë qenë sektorë si financa, administrata publike, infrastruktura digjitale dhe energjetika.
Njoftimi i plotë:
Tentativa për sulme kibernetike – Janar–Qershor 2026
Gjatë gjashtëmujorit të parë, janar–qershor 2026, janë regjistruar gjithsej 14,628,595 tentativa për sulme kibernetike ndaj infrastrukturave të ekosistemit kibernetik shqiptar. Ky numër përkon me rreth 56.4 tentativa për sulme kibernetike çdo minutë.
Nga numri i përgjithshëm, 54% e tentativave janë drejtuar ndaj infrastrukturave të rëndësishme të informacionit, ndërsa 46% ndaj infrastrukturave kritike të informacionit.
Tentativat kanë synuar sektorë të ndryshëm, përfshirë sektorin financiar, administratën publike, infrastrukturën digjitale, sektorin energjetik si dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike vijon monitorimin e vazhdueshëm të kërcënimeve dhe forcimin e masave mbrojtëse, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së infrastrukturave të informacionit në vend.