TIRANË-Një aksion i përbashkët i SPAK dhe Prokurorisë së Veronës më korrik të vitit 2025 kundër një organizate kriminale nga Elbasani, ku u sekuestruan 4 milionë euro pasuri të familjes Çela në Itali është kthyer sërish në vëmendje. Konkretisht media italiane L'Arena një ditë më parë (3 gusht) raportoi se gjyqtarja e hetimeve paraprake Paola Vacca, e njëjta gjyqtare që kishte vendosur sekuestron mbi bazën e informacionit të dhënë nga Guardia di Finanza italiane dhe Prokuroria e Posaçme shqiptare (SPAK), e anuloi vendimin e saj dhe urdhëroi heqjen e sekuestros dhe kthimin e të gjitha pasurive pronarëve.
Sipas medias italiane përfaqësuesi ligjor i kompanisë Meral Srl ka kallëzuar penalisht ish-kreun e SPAK, Altin Dumani për kallëzim të rremë, pasi informacionet e përcjella nga SPAK autoriteteve italiane kanë shkaktuar sekuestrimin e padrejtë të pasurive dhe dëme të konsiderueshme ekonomike.
Në artikull thuhet se sipas vendimit të gjykatës italiane, dokumentacioni i paraqitur nga avokatët e familjes Çela tregonte se fondet e përdorura për blerjen e pasurive kishin origjinë të ligjshme dhe vinin nga aktivitete të rregullta tregtare. Gjykata konstatoi gjithashtu se asnjë anëtar i familjes Çela nuk rezultonte me precedent penal, ndërsa, ndryshe nga sa ishte deklaruar publikisht gjatë prezantimit të operacionit, nuk kishte as hetime apo dënime penale ndaj tyre, përfshirë edhe pretendimet për vrasje.
"Sipas tezës së prokurorit të SPAK-ut, Altin Dumani, një godinë e tërë në rrugën Murari Bra, ku ndodheshin 30 njësi tregtare dhe zyra, si edhe një kompleks në Nogarole Rocca, ishin blerë nga Meral sh.p.k., në pronësi të familjes Cela, duke përdorur para të përfituara nga veprimtari të paligjshme, veçanërisht nga trafiku i kokainës. Si një gur i hedhur në një pellg, lajmi u përhap me shpejtësi dhe llogaritë bankare të shoqërisë u sekuestruan, kreditë iu refuzuan dhe iu bllokuan. Me pak fjalë, aktivitetet ekonomike me vlerë miliona euro u paralizuan. Por një muaj më vonë, më 4 gusht, gjyqtarja e hetimeve paraprake Paola Vacca, e njëjta gjyqtare që kishte vendosur sekuestron mbi bazën e informacionit të dhënë nga Guardia di Finanza italiane dhe Prokuroria e Posaçme shqiptare (SPAK), e anuloi vendimin e saj dhe urdhëroi heqjen e sekuestros dhe kthimin e të gjitha pasurive pronarëve. Dokumentacioni i paraqitur nga avokatët e familjes Cela, Bergamini dhe Crea, provoi se çdo euro ishte fituar në mënyrë të ligjshme përmes veprimtarive të rregullta tregtare dhe më pas ishte investuar ligjërisht. Gjithashtu u provua se asnjë anëtar i familjes nuk kishte precedent penal, madje as një gjobë për parkim të paligjshëm.
Pasuria e familjes Cela, sipas vendimit, buron nga administrimi i tregut të Elbasanit dhe zgjerimi i mëvonshëm i tij (i vendosur nga kryetari i bashkisë), i cili shumëfishoi fitimet. Gjithashtu, nga blerja e kuotave në shoqërinë “Ruga Asfalti”, një kompani që ndërton diga, tunele, ura dhe autostrada në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit, me kapital prej dhjetëra milionë eurosh, e cila punon me shtete dhe jo me privatë, si edhe nga investimi për ndërtimin e një hoteli. Këto kuota më pas u shitën ligjërisht me një çmim më të lartë se ai i blerjes. Siç pranon edhe vetë gjyqtarja, kjo është një praktikë krejt normale në botën e biznesit, sidomos kur një ortak largohet nga shoqëria,"-thuhet në artikullin e medias italiane.
Lidhur me raportimet në media një njoftim zyrtar ka ardhur edhe nga Prokuroria e Posaçme, ku thuhet se Petrit Çela, i ati i Marjus Lulaj dhe Mario Çela i është drejtuar drejtuesit të SPAK më 20 maj dhe 18 qershor 2026 me kërkesë për përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga procedimi penal nr. 193/2023, ku të pandehur janë familjarët e tij.
SPAK bën me dije se në Prokurorinë e Veronës është regjistruar një procedim penal për veprën penale të “shpifjes” sipas Kodit Penal italian, mbi bazën e kallëzimit të bërë nga Petrit Çela ndaj Altin Dumanit. Kreu i SPAK, Klodian Braho ka vendosur mospranimin e kallëzimit, duke e cilësuar të pambështetur në ligj dhe prova. Në njoftim nënvizohet se i vetmi element që lidh Altin Dumanin me bashkëpunimin ndërkombëtar është nënshkrimi, në cilësinë e drejtuesit të SPAK, i një shkrese më 11 korrik 2024, si dhe i marrëveshjes për krijimin e një Skuadre të Përbashkët Hetimore mes mes SPAK-ut dhe Prokurorisë së Veronës më 26 gusht 2024, me nismë të autoriteteve italiane.
NJOFTIMI I SPAK:
Duke marrë shkak nga disa lajme dhe artikuj të publikuar në disa nga mediat vendase, të cilat i referohen burimeve të mediave lokale të Verona-s në Republikën e Italisë, sqarojmë opinionin publik si vijon :
Shtetasi Petrit Çela i është drejtuar Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, më 20.05.2026 dhe më 18.06.2026, me kërkesë për përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga procedimi penal nr. 193/2023, ku janë të proceduar penalisht të pandehurit Marjus Lulaj dhe Mario Çela (familjarët e shtetasit Petrit Çela), procedim penal në të cilin prokurori Altin Dumani ushtron funksionin e prokurorit të çështjes.
Në mbështetje të kërkesës për përjashtim, shtetasi Petrit Çela ka paraqitur pikërisht faktin e kallëzimit penal të ngritur në Verona, Itali. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pasi ka vlerësuar kërkesën e paraqitur dhe aktet ku ajo është mbështetur, me vendimin e datës 19.06.2026 ka vendosur “Mospranimin e kërkesës”, si e pambështetur në ligj dhe në prova.
Nga dokumentacioni i paraqitur nga shtetasi Petrit Çela rezulton se në Prokurorinë e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, Itali, është regjistruar procedimi penal nr. R.G.N.R. 3514/2026 – R.G. GIP 2877/2026, për veprën penale të “Shpifjes” (calunnia), të parashikuar nga neni 368 i Kodit Penal italian, mbi bazën e një kallëzimi të paraqitur nga shtetasi Petrit Çela ndaj prokurorit Altin Dumani, i cili ka ushtruar funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga data 19 dhjetor 2022 deri më 19 dhjetor 2025.
Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, pas shqyrtimit të akteve, ka paraqitur më datë 21.04.2026 kërkesë për arkivim (richiesta di archiviazione) të procedimit penal, e depozituar më 14.05.2026. Ndaj kësaj kërkese, personi që ka paraqitur kallëzimin penal Petrit Çela ka paraqitur kundërshtim (opposizione) më 11.05.2026, çka ka çuar në caktimin e një seance gjyqësore pranë Seksionit GIP/GUP të Gjykatës së Veronës.
Nga aktet e administruara rezulton se, i vetmi element i identifikuar që lidh prokurorin Altin Dumani me bashkëpunimin ndërkombëtar në fjalë është nënshkrimi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i një shkrese institucionale, më datë 11.07.2024, si dhe i një Marrëveshjeje, më datë 26.08.2024, për krijimin e një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT) mes Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Veronës, nismë e ardhur nga vetë autoritetet italiane në kuadër të procedimit penal nr. 10792/2023.
Prokurori Altin Dumani nuk ka qenë pjesë e grupit hetimor të procedimeve penale nr.10792/2023 (Itali) dhe nr.123/2024 (Prokurori e Posaçme), nuk ka kryer veprime hetimore, marrje në pyetje, sekuestrime apo kërkesë për sekuestrim, si dhe ka marrë dijeni për ekzistencën e procedimit penal në Itali vetëm në muajin maj 2026, pra pas paraqitjes së kërkesës për arkivim nga ana e Prokurorisë italiane.
Nga kronologjia e sipërpërmëndur rezulton lidhja ndërmjet kallëzimit të paraqitur në Itali dhe interesit të drejtpërdrejtë familjar që kallëzuesi Petrit Çela ka në procedimin penal nr.193/2023 të Prokurorisë së Posaçme, si dhe përdorimi i vetë faktit të kallëzimit penal si bazë procedurale për kërkesën e përjashtimit të prokurorit të çështjes.
