
TIRANË- Leonard Duka, personi që dyshohet se ka porositur vrasjen e Santiago Malkos ka dëshmuar sot për herë të parë lidhur me vrasjen e ndodhur 5 vite më parë. Në rrëfimin e tij para trupës gjykuese dhe prokurorit të çështjes, Duka, i njohur ndryshe me emrin “Princi Damian” është shprehur se nuk ka pasur dijeni fare lidhur me vrasjen e ndodhur dhe se ngjarjen e ka mësuar nga Policia e Shtetit kur është shoqëruar në Komisariat. Atje, sipas tij, ka treguar se ka pasur njohje me të ndjerin përmes Ervis Martinajt. Disa herë i është drejtuar edhe prokurorit duke i bërë pyetje se përse ishte marrë i pandehur. Madje edhe e sulmoi duke u shprehur se është "i paaftë" dhe se po e mban në burg pa asnjë provë.
“Ditën e ngjarjes jam shoqëruar nga Policia. Aty kur më shoqëruan kam mësuar për ngjarjen. Unë isha më vëllanë tim, po drekoja me stafin në lokalin tim. Si çdo ditë tjetër kemi ngrënë drekë me stafin dhe pastaj kam vazhduar me rrjedhën e ditës. Isha me vëllain, Ervin Dukën në makinë, bëri shenjë Policia dhe shkuam në Polici. Ku e dija unë kush kishte vdekur? Nuk kam asnjë kundërshti për shoqërimin, më kanë marrë në mënyrë shumë njerëzore.
Më morën në Polici. Në Polici e kam dëshmuar dhe kam pranuar njohjen me të. Me Santiago Malkon më ka prezantuar Ervis Martinaj, por kisha 3 vjet që nuk e kisha takuar. Pasi dëshmova, më morën shenjat e gishtave dhe më pas më lanë të lirë. Pasi rregulluan letrat në mënyrë korruptive, më shpallën në kërkim. As sot as nuk e di pse jam këtu. Mund të më thoni zoti prokuror se përse jam këtu? Se unë nuk e di ende... Unë e kam njohur para shumë vitesh të ndjerinn. Kemi pasur shoqëri të përbashkët. Santiago Malkon e kam njohur nga Ervis Martinaj, por kisha 3 vite pa e takuar. Edhe në Polici e kam dëshmuar njohjen time me të. 15 vite shoqëri kam pasur me Ervis Martinajn, jemi ndarë dhe kam gëzuar respekt për të, nuk kemi konflikt.
15 vjet më parë ndodhi njohja jonë. Para 15 vitesh kam qenë në shkollë, vërdallë. Nga shoqëria e përbashkët na ka ra me e njoh se Shqipëria e vogël është. Jemi nga një zonë, unë jetoja në Fresk, ai në lagjen tjetër. Po të citoj gjithë emrat e lagjes janë 200 veta. Gjithë zonën e njoh, të gjithë njihemi me njëri tjetrin.
*i drejtohet prokurorit
Më pyet për ngjarjen jo për lokalin. Çfarë lidhje ka kjo? Në 2019 kisha një loto futbolli, Max Lloto e kisha në pronësi. E kam pas të shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Administratorët e pikave që ishin nëpër Shqipëri, ishim për darkë. Kur u ngritëm, ikëm të gjithë, nuk e di me çfarë kanë ardhur ata aty. Unë kam qenë me Audin, nuk e di për makina të tjera. Volksëagen nuk e di fare, nuk merrem me makinat që ishin aty, unë kam pasur makinën time. Nuk kemi pasur asnjë marrëdhënie borxhi me Ervis Martinajn pasi jemi ndarë. Kemi nis që në 2006. Edhe pasi ndamë bizneset, kemi qendruar ndonjëherë në shoqëri të përbashkëta, jemi rastisur nëpër klabe. Kemi fol ndonjëherë në telefon,"-ka rrëfyer për herë të parë Duka.
Më pas, rrëfimi në sallë ka vijuar edhe pse Duka ka pasur rezerva ndaj hetuesit Behar Dibra.
Prokurori Behar Dibra: Po Skoda Roster ku e mbanit?
Leonard Duka: Unë po të jap pergjigje për respekt të gjykatës, se ti nuk e meriton.
Prokurori Behar Dibra: Për respekt të së vërtetës. Jo për mua.
Leonard Duka: Ke 6 vjet më ke mbajtur kot në kërkim. Nuk e di me se është marrë Santiago Malko, kisha 3 vjet pa e parë. Kur e takova nuk isha vetëm me të. Shoku i përbashkët ka qenë Ervis Martinaj. E kam pasur shok prej 15 vjetësh, jemi ndarë në 2017, secili në punën e vet. Por e kam ruajtur respektin për të. Unë kam pasur bizenset e mia, ai të vetat. Edhe ai ka pasur bastet e veta. Nuk e di me se është marrë. Pasi u ndamë nuk e di ç’ka bërë. Nuk kemi pasur asnjë marrëdhënie borxhi. Kur jemi takuar herë të tjera nuk kemi qenë bashkë por me miq të perbashkët. Nuk ua mbaj mend emrat. Jemi takuar nëpër club-e, lokale. Nuk kemi pasur asnjëherë konflikt, as unë as familja ime. Çuna të rinj jemi, jemi zënë, jemi gri, pse ty nuk të ka ndodhur ndonjëherë të zihesh. Kjo punë nuk ka lidhje me ngjarjen, nuk e di sa herë është zënë vëllai im rrugëve. Sherrin e vëllait, Erlisit, e kam marrë vesh nëpërmjet robve të mi, se isha në Gjermani. Mora vesh që vëllai është zënë për çështje “pse më shef?”. Në dijeni për vëllain më vuri babi. Me vëllain nuk komunikova dot se u fut në burg, pastaj në gjyq. Rivelino Mumajesin e njoh, kur është plagosur. Ku ta gjej qetësinë gjyqtare me këtë? Ky është i paaftë, më mban prej 6 vitesh në kërkim mua dhe e gjithë fisin tim.
Prokurori Behar Dibra: Babait tuaj i ka ndodhur diçka?
Leonard Duka: Nuk ka pasur baba as fyerje, as goditje, nga askush.
SI NDODHI VRASJA E SANTIAGO MALKOS?
Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMË X5”. I skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale, Malko kishte hyrë edhe në administratën shtetërore. Për vrasjen e Malkos, SPAK akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Deri më tani, I vetmi i dënuar me 25 vite burg është Blendi Teta, i cili akuzohet si një person që kishte mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Malkos duke njoftuar edhe autorët për të kryer ekzekutimin.
Arsyeja e vrasjes së Malkos u zbuluar nga përgjimet e “SkyECC”. Në bisedën mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, bossi i lojrave të fatit e thoshte hapur se nuk e kishte problem faktin që ish-shoku i tij i ngushtë i kishte vrarë njeriun që kishte të besuar, madje i linte shteg hapur që të vepronte po njësoj edhe me Erigers Mihasin (Edhe ky është vrarë).
Ish-bossi i lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit 2022 shprehej se Malko ka gabuar me babanë e Dukës, referuar faktit që ia ka marrë peng dhe i ka dërguar video duke e torturuar. Madje në një episod e quan Malkon skizofren dhe njeri që i ka sjellë vetëm probleme. Biseda është zhvilluar kur dyshja i kishte prishur marrëdhëniet miqësore por edhe ato si ortakë./ZËRI