TIRANË-Enti Rregullator i Energjisë është mbledhur sot për të shqyrtuar çmimin e ri të energjisë elektrike. Bordi ka vendosur që çmimi i energjisë të ulet me 1 lekë, nga 9.5 për kilovat që ishte do të bëhet 8.5 për kilovat.
Romir Pajenga drejtor i Tarifave, OSHEE tha se çmimet për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 KWH, do të jetë 8.5 lekë. Ndërsa për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 700 KWH, 9.5 lekë, ndërsa me TVSH arrin në 11.4 lekë.
“Propozojmë që për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 700 KWH, çmimi të jetë 8.5 lekë. Ndërsa për ata që shpenzojnë nga 701 KWH e më tej, çmimi do të jetë 9.5 lekë për KWH. Të gjitha çmimet e tjera për secilën kategori konsumatorësh të mbeten të pandryshuara”, tha drejtor i Tarifave i OSHEE.
Ulja e çmimit do të prekë vetëm kategorinë e konsumatorëve familjarë, duke përjashtuar kategoritë e tjera si bizneset, institucionet buxhetore dhe jobuxhetore. Pritet që prej datës 1 shkurt të këtij viti të nisë ulja e çmimit të energjisë elektrike. Çmimi aktual që paguajnë familjet shqiptare për energjinë është 9.5 lekë, pa TVSH apo 11.4 lekë, me TVSH./ZËRI