TIRANË- Pas rreth dy javësh kërkimesh, policia ka arritur të gjejë trupin e pajetë të Eglant Koçit, i cili ishte raportuar i zhdukur që prej mbrëmjes së 4 qershorit. Burime për ZËRI bëjnë me dije se trupi i viktimës është gjetur në një humnerë në fshatin Cerujë, në mes Tiranës dhe Elbasanit.
Njoftimi i policisë:
Në territorin e fshatit Cerrujë, lagjia Domush, është gjetur në proces dekompozimi, një trup njeriu i seksit mashkull. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet dhe verifikimet me qëllim identifikimin e shtetasit, si dhe zbardhjen e rrethanave të tjera të rastit.
34-vjeçari Eglant Koçi u zhduk që prej mbrëmjes së 4 qershorit, teksa dyshohet se u mor peng dhe më pas u vra nga Armand Shakaj, 41 vjeç. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, ndërsa në burg ndodhet Enea Zyferi, i cili punonte kamarier në lokalin në pronësi të 41-vjeçarit. Zyferi dyshohet se ka qenë dëshmitar i ngjarjes.
ZËRI publikoi disa ditë më parë edhe foton e ‘Porsche’ që dyshohet të jetë makina Armand Shakaj (Mand Dhelpra), të cilën e ka përdorur për të transportuar dhe më pas për të zhdukur trupin e 34-vjeçarit Eglant Koçi. Shakaj dyshohet se ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit mendohet se ndodhej edhe trupi i 34-vjeçarit, drejt zonës së Ibës.
ZËRI publikoi më 6 qershor pamjet ku Eglant Koçi u pa për herë të fundit në zonën e “Sheshit Wilson”, teksa parkonte motorin pranë ambienteve të lokalit të Shakajt. Hetimet treguan se për të humbur gjurmët, autori ka zhvendosur motorin e viktimës nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Motori u gjet në rrugën “5 Maji” në Tiranë.
Policia vijon kërkimet intensive për kapjen e autorit të dyshuar, Armand Shakaj. Sipas sistemit TIMS rezulton se Armand Shakaj nuk ka dalë jashtë vendit dhe policia dyshon se ai fshihet brenda vendit./ZËRI




