TIRANË- Janë publikuar pamjet e makinës në të cilën dyshohet se Armand Shaka ka përdorur për rrëmbimin e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i humbur prej datës 4 qershor.
Eglant Koçi, dyshohet se është marrë peng dhe më pas vrarë nga Armand Shakaj, 41 vjeç. Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim Shakajn, ndërsa ka arrestuar edhe Enea Zyferin, kamarier në lokalin në pronësi të 41-vjeçarit, i cili dyshohet se ka qenë dëshmitar i ngjarjes.
Sipas hetimeve paraprake, nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe kontrollet në terren, policia ka arritur të identifikojë ambientin ku është futur 34-vjeçari, nga i cili më pas dyshohet se është larguar Armand Shakaj. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu lëvizjet e tij pas ngjarjes.
ZËRI publikoi më 6 qershor pamjet ku Eglant Koçi shihej për herë të fundit në zonën e “Sheshit Wilson”, teksa parkonte motorin pranë ambienteve të lokalit të Shakajt. Hetuesit dyshojnë se pas kësaj, ai mund të jetë marrë me automjet nga autorët.
Policia ka sekuestruar edhe një automjet që dyshohet se është përdorur nga autori për transportimin e të riut pas marrjes së tij peng. Në mjet janë konstatuar njolla gjaku, të cilat dyshohet se i përkasin Eglant Koçit. Po ashtu, hetimet tregojnë se për të humbur gjurmët, autori ka zhvendosur motorin e viktimës nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Motori është gjetur dy ditë më parë në rrugën “5 Maji” në Tiranë.
Policia vijon kërkimet intensive për gjetjen e trupit të Eglant Koçit dhe për kapjen e autorit të dyshuar, Armand Shakaj./ZËRI

