TIRANË- Kërkimet për gjetjen e trupit të 34-vjeçarit Eglant Koçi vijojnë ende pa rezultat. Një strukturë e posaçme hetimore është ngritur për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për lokalizimin e trupit, i cili ende nuk është gjetur pavarësisht kontrolleve të shumta në terren.
Në një konferencë për bilancin e punës për muajin maj, Drejtori i Policisë së Tiranës, Oligert Torba, deklaroi se hetimi po ndiqet nga Struktura e Krimeve të Rënda, si dhe është ngritur një grup i posaçëm pune për lokalizimin e trupit të të riut.
Torba theksoi se kërkimet janë përqendruar kryesisht në zonat përreth kryeqytetit dhe në kufirin me qarkun e Elbasanit. Në operacion janë angazhuar edhe forca speciale, ndërsa në ndihmë kanë ardhur edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.
“Ndërsa për zhdukjen e Englant Koçit, ngjarje goxha sensitive, nga ana jonë është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Indicia është marrë nga familjarët e të dyshuarit, të humburit. Hetimi po ndiqet nga Struktura e Krimeve të Rënda. Është një strukturë e posaçme që po kërkon trupin e tij, kërkimet janë përqendruar kryesisht në rrethinat e Tiranës, mes kufirit ndarës të Elbasanit të Shtetit. Krahas forcave tona, na ka ardhur në ndihmë edhe nga FSK-ja. Vijon kërkimi, deri tani nuk kemi një rezultat konkret. Janë kontrolluar shumë zona që kishim dyshimet tona, nuk kemi ndonjë rezultat”, tha drejtori i Policisë, Oliger Torba.
Eglant Koçi, 34 vjeç, i zhdukur që prej 4 qershorit, dyshohet se është marrë peng dhe më pas vrarë nga Armand Shakaj, 41 vjeç. Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim Shakajn, ndërsa ka arrestuar edhe Enea Zyferin, kamarier në lokalin në pronësi të 41-vjeçarit, i cili dyshohet se ka qenë dëshmitar i ngjarjes.
Sipas hetimeve paraprake, nga këqyrja e kamerave të sigurisë dhe kontrollet në terren, policia ka arritur të identifikojë ambientin ku është futur 34-vjeçari, nga i cili më pas dyshohet se është larguar Armand Shakaj. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu lëvizjet e tij pas ngjarjes.
ZËRI publikoi më 6 qershor pamjet ku Eglant Koçi shihej për herë të fundit në zonën e “Sheshit Wilson”, teksa parkonte motorin pranë ambienteve të lokalit të Shakajt. Hetuesit dyshojnë se pas kësaj, ai mund të jetë marrë me automjet nga autorët.
Policia ka sekuestruar edhe një automjet që dyshohet se është përdorur nga autori për transportimin e të riut pas marrjes së tij peng. Në mjet janë konstatuar njolla gjaku, të cilat dyshohet se i përkasin Eglant Koçit. Po ashtu, hetimet tregojnë se për të humbur gjurmët, autori ka zhvendosur motorin e viktimës nga vendi ku ishte parkuar fillimisht. Motori është gjetur dy ditë më parë në rrugën “5 Maji” në Tiranë.
Policia vijon kërkimet intensive për gjetjen e trupit të Eglant Koçit dhe për kapjen e autorit të dyshuar, Armand Shakaj./ZËRI