Aktualitet

DW: Vazhdon beteja për Zvërnecin me protesta masive

Protestuesit kundërshtojnë projektin e planifikuar në Zvërnec, të cilin e konsiderojnë një kërcënim për zonën e mbrojtur të Pishë Poro - Nartës dhe për interesin publik.

Redaksia Zëri
DW: Vazhdon beteja për Zvërnecin me protesta masive
foto ilustruese

TIRANË- Protesta hyri në javën e dytë. Mes thirrjeve "Shqipëria nuk është për t'u shitur" dhe "Rama, jep dorëheqjen", protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës edhe në ditën e 13-të të mobilizimit. Tubimit iu bashkuan edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.

Protestuesit kundërshtojnë projektin e planifikuar në Zvërnec, të cilin e konsiderojnë një kërcënim për zonën e mbrojtur të Pishë Poro - Nartës dhe për interesin publik. Ata deklaruan se nuk do të ketë negociata dhe se kërkesa e tyre mbetet e pandryshuar: ndalimi i projektit dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. 

Rama: Zvërneci, një mundësi që Shqipëria nuk mund ta refuzojë

Nga Sheshi Italia, kryeministri Edi Rama i cilësoi protestuesit si viktima të manipulimit dhe dezinformimit, ndërsa mbrojti projektin në Zvërnec si një mundësi të rëndësishme zhvillimi ekonomik për vendin.

"Po jetojmë këto ditë zhvillime që vende të tjera para nesh kanë rënë në kurthe të ngjashme si rezultat i manipulimit masiv të njerëzve me metoda të provuara dhe të demaskuara edhe në vende të tjera” - tha Rama.

Rama tha se qeveria po negocion për të mbrojtur interesin publik. "Ky është investimi më i madh që i ka ardhur si mundësi Shqipërisë. Është një investim të cilin Shqipëria nuk e ka luksin kurrsesi ta refuzojë” -  tha kryeministri, teksa ftoi qytetarët të shqyrtojnë dokumentacionin dhe faktet që, sipas tij, tregojnë se investimi nuk përbën rrezik për mjedisin apo interesin publik.

Organizatat mjedisore bojkotojnë konsultimet

18 organizata mjedisore njoftuan të enjten (11.06.2026) se do të bojkotojnë proceset konsultuese të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit deri në shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Në një deklaratë të përbashkët, ato thanë se refuzojnë të marrin pjesë në konsultime "me qëllim që të mos bëhen pjesë e një procesi që synon të paraqesë një normalitet institucional që nuk ekziston”. 

"Organizatat e Shoqërisë Civile nuk e konsiderojnë relevante pjesëmarrjen në konsultime teknike për akte të reja ligjore dhe nënligjore, për sa kohë që çështja më themelore e mbrojtjes së zonave të mbrojtura mbetet e pazgjidhur” – thuhet në deklaratën e tyre.

SPAK sekuestron 128 milionë euro nga pronat në Zvërnec

Zhvillimet e së premtes (12.06.2026) u shoqëruan edhe me një operacion të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila lëshoi masa "arrest me burg" për disa biznesmenë të dyshuar për trafik narkotikësh dhe pastrim parash. Mes tyre është edhe biznesmeni Artur Shehu, pronar i pjesës më të madhe të tokës, ku ishte planifikuar të ndërtohej resorti turistik në Zvërnec.

Sipas vendimit të gjykatës, janë sekuestruar 128 milionë euro të përfituara nga shitja e pronave në Zvërnec në llogari të biznesmenit Shehu, të cilat kaluan në pronësi të kompanisë "Albania Land Development”./DW

Poll

MOS HUMB