Aktualitet

“U shërbente Çapjave"! Përballje në gjyq, Hoxha- Dumanit: Më ke parë të marr lekë nga Alibej

Sipas Dumanit, Xhulian Hoxha ishte informator i Erion Alibejt dhe njëherë ky i fundit i kishte dhënë një shumë prej 20 mijë euro.

F.I
“U shërbente Çapjave"! Përballje në gjyq,
Xhuliano Hoxha dhe Nuredin Dumani

TIRANË-Nuredin Dumani gjatë dëshmisë së dhënë në GJKKO është përplasur me bashkëpuntorin e tij, Xhuliano Hoxha, i dënuar për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Sipas Dumanit, Xhulian Hoxha ishte informator i Erion Alibejt dhe njëherë ky i fundit i kishte dhënë një shumë prej 20 mijë euro. Ndërkohë Hoxha e ka mohuar duke iu përgjigjur se më herët ka deklaruar që u shërbente Çapjave. 

Pjesë nga diskutimi në seancë:

Avokati: E ke njohur bashkëshorten e Xhulian Hoxhës?

Dumani: Po.

Avokati: Me çfarë komunikonit me Erionin dhe bashkëshorten e Xhulianit?

Dumani: Me Sky.

I pandehuri Xhulian Hoxha: Më herët, Dumani ka thënë që unë i kam shërbyer grupit Çapja. Kujt i kam shërbyer unë?

Dumani: Emër nuk di.

Avokati: Po ku e di ti?

Dumani: Në fillim më ka thënë Erioni. Por më vonë më ka thënë edhe Suel Çela. Ai kishte një dokument, deklarim, që sipas tij i kishte shërbyer Çapjave.

Hoxha: Ti më ke parë vetë me sytë e tu?

Dumani: Jo, unë vetë jo. Nuk të kam takuar ndonjëherë. Çfarë më ka thënë Erioni dhe Sueli.

Hoxha: A jemi parë ndonjëherë?

Dumani: Po, jemi shkëmbyer tek pallati.

Hoxha: Ku i kisha kamerat tek shtëpia?

Dumani: Te dera e shtëpisë tënde kishte kamera.

Hoxha: Më ka parë me sytë e tij të marr lekë nga Alibej?

Dumani: Unë vetë jo, por diskutoja me Alibejn.

Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI

Poll

MOS HUMB