Aktualitet

Ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi fiton në Strasburg! Avokati: Arrestim i paligjshëm

Sipas avokatit, Gjykata e Strasburgut konstatoi se argumentet për arrestimin ishin të pambështetura dhe shume të përgjithshme.

F.I
Ish-drejtori i RTSH, Thoma Gëllçi fiton në Strasburg! Avokati:
Thoma Gëllçi

TIRANË-Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka vendosur se Shqipëria ka shkelur të drejtat e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, duke e mbajtur në paraburgim për një periudhë të gjatë pa arsye të mjaftueshme ligjore. Gjykata e Strasburgut e cilësoi të paligjshëm arrestimin e ish-drejtorit të RTSH-së, Thoma Gëllçi, sipas avokatit të tij, Dorjan Matlia.

Avokati Matlia shkruan se arrestimet janë bërë 'bukë e djathë' për SPAK dhe se u intereson më shumë shfaqja e cirkut televiziv sesa respektimi i standardeve evropiane.

“Gjykata e Strasburgut i dha të drejtë sot Thoma Gëllcit dhe konfirmoi që arrestimi i tij ishte i paligjshëm.  Arrestimet janë bërë bukë e djathë për SPAK (dhe jo vetëm), të cilëve u intereson me shume shfaqja e cirkut televiziv të lajmeve ditore me arrestime e prerje kokash sesa respektimi i standardeve evropiane. Thoma Gëllci, ish-drejtor i RTSH u arrestua në tetor 2021 për akuzën e shpërdorimit të detyrës lidhur me një tender. Ai u vendos në paraburgim me vendim të GJKKO me pretendimin se ekzistonte dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e tij në veprime të paligjshme. Gjykata e Strasburgut konstatoi se argumentet për arrestimin ishin te pambështetura dhe shumë të përgjithshme. SPAK nuk dha prova konkrete as se cilat prova duhej të mblidheshin dhe pse nuk ishin mbledhur më parë, si dhe rreziku i arratisjes nuk ekzistonte. Gjykata e Strasburgut shtoi dhe se zgjatja e paraburgimit ishte e pajustifikuar, pasi autoritetet hetimore nuk treguan "kujdes të veçantë" për hetimin. Sipas Gjykatës se Strasburgut, Shqipëria shkeli Konventën duke mbajtur Gëllëin në paraburgim për një periudhë të pajustifikuar dhe pa dhënë prova. Duke e konsideruar si një fitore te rëndësishme morale, Strasburgu ofroi një shume simbolike dëmshpërblimi moral, por pa harruar që të ngarkojë mbi shtetin edhe kostot avokatore të Gëllçit. Tani do vijojë beteja ne gjykatat tona për të vënë në vend drejtësinë evropiane qe e shtrembëroi nevoja revolucionare e SPAK, me mbështetjen e hapur të mazhorances qeverisëse”, njoftoi avokati.

Ish- drejtori i RTSH-së Thoma Gëllçi u arrestua në tetor të vitit 2021. Ish-drejtori u shpall fajtor në 2 qershor nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrëse në tendera apo ankande publike”. Gëllçi u dënua me 1 vit e 4 muaj burg nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Si pasojë e aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu reduktua në 1 vit dhe 4 muaj heqje lirie, ndërsa u lirua nga qelia më 30 gusht 2022./ZËRI

Poll

MOS HUMB