Aktualitet

'Shkoza më ndiqte për të më vrarë', Dumani: S’kishim radhë vrasjeje, Ramazani u bë i pari

Vrasja e Runajt dhe Ramazanit ka ndodhur në vitin 2020 në Elbasan.

F.I
'Shkoza më ndiqte për të më vrarë', Dumani:
Nuredin Dumani dhe Emiliano Ramazani

TIRANË-I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, ka vijuar edhe ditën e sotme dëshminë e tij në GJKKO. Dumani ndër të tjera shpjegoi edhe se si pikasi se ndiqej nga kundërshtarët, me qëllim që të ekzekutohej.

Dumani: Kisha informacion se Dorian Shkoza më vëzhgonte për të më vrarë. Do fillonim ekzekutimet nga Durrësi, pastaj në Elbasan. Vëllezërit Çopja ishin në Elbasan dhe Altin Ndoci ishte në Tiranë, prandaj vendosëm të nisnim nga Durrësi.

Avokati: Kur e vendosët vrasjen e Emiliano Ramazanit?

Dumani: Ishte verë 2020. Ishin shumë emra për t’u vrarë në Elbasan. Nuk kishim radhë, por kush të dilte para do eliminohej. Emiliano Ramazani u bë i pari. Në Elbasan unë informacion merrja veç nga Elio Bitri. Emiliano Ramazani shkonte në një palestër në Elbasan. Kishim informacion të brendshëm nga aty. Alibejt i vinin foto herë pas here edhe për Bujar Çelën dhe Emiliano Ramazanin.

Avokati: Kush të ndihmoi në vrasjen e Ramazanit?

Dumani: Informacion merrja nga Alibej, por kisha edhe Henrik Hoxhën, që dinte lëvizjet dhe makinat e Emiliano Ramazanit. Ne kishim informatore një instruktor palestre. Ajo na jepte informacion me telefon për lëvizjet e tij, kur ikte nga palestra.

Avokati: Kush e mori vendimin për vrasjen e Rigers Runajt?

Dumani: Erion Alibej e mori.

Vrasja e Runajt dhe Ramazanit

Vrasja e Runajt dhe Ramazanit ka ndodhur në vitin 2020 në Elbasan. Gjykata ka dhënë një dënim edhe më të rëndë, nga se ka kërkuar Prokuroria e Posaçme. Kjo e fundit kishte kërkuar 30 vite burg për Xhuliano Hoxhën dhe 12 për Euglent Halilin.  Emiljano Ramazani u vra më datë 20 korrik 2020. Ai u ekzekutua poshtë shtëpisë, kur po markonte makinën e tij. Autorët e vrasjes ishin tre persona, ku njëri ka qëlluar me breshëri automatiku. Vrasja e Ramazanit dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh, pas mosmarrëveshjeve për drogën. Pak ditë pas kësaj vrasje, është gjetur i vdekur dhe miku i Ramazanit, Regis Runaj, 23 vjeç. Ai ishte vrarë më thikë dhe trupi i pajetë i është gjetur pranë varrezave të qytetit, në një rrugë të braktisur.

Nuredin Dumani, vrasësi me pagesë që është kthyer në të penduar të drejtësisë vijon dëshmitë për dosjen “Plumbi i Artë”. Dumani ka zbërthyer ngjarje kriminale që nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani ka folur edhe për ngjarje e vrasje të bëra jashtë territorit të Shqipërisë, në Belgjikë, Holandë dhe në Itali. Në dosjen 'Plumbi i Artë' përmenden të paktën 32 persona të dyshuar dhe akuzuar, nga 4 organizata të ndryshme kriminale. Dëshmitë dhe emrat e bashkëpunëtorëve që Nuredin Dumani u dha prokurorëve të SPAK, kanë zbardhur plot 27 krime e ngjarje të ndryshme të ndodhura gjatë një dekade mes Tiranës, Elbasanit e Durrësit./ZËRI

Poll

MOS HUMB