TIRANË-Turistja australiane Amy Lecons, e cila në muajin qershor u pickua nga një nëpërkë në një zonë të thellë malore në Alpet Shqiptare, Valbonë ka rrëfyer për Truth Times vështirësitë me shërbimin e emergjencës dhe më pas në Spitalin e Bajram Currit.
E reja e cila jeton në Zelandën e Re, deklaroi se më 22 qershor do të vraponte rreth 90 minuta në shtigjet e Valbonës pasi më në fund i ishte rikthyer rutinës pas 7 muajsh, por nuk u kthye dot në bujtinën ku qëndronte prej tri ditësh. Ndërsa kishte përshkuar 7 nga 11 kilometra të itinerarit të saj, nepërka e pickoi. Ajo pretendon se menjëherë telefonoi numrin 112, por telefonata iu ndërpre dy herë pa arritur të siguronte ndihmën që kërkonte.
“Telefonata e parë zgjati më pak se një minutë. Kërkova dikë që fliste anglisht, por telefonata përfundoi. Telefonova sërish dhe ndodhi e njëjta gjë”, ka rrëfyer ajo.
Më pas Amy kontaktoi përmes WhatsApp-it babain e saj, i cili është mjek në Australi. Ky i fundit nisi të kërkonte ndihmë nga mijëra kilometra larg, ndërsa në operacion u përfshinë më pas kontakte lokale dhe u aktivizuan edhe kanale ndërkombëtare.
“Duke u ndier e pafuqishme, në orën 10:22 bëra një telefonatë në WhatsApp me babain tim, i cili është mjek në Australi. Më vonë kuptova se ishte ai që kishte bërë të mundur që Qendra Verore e Valbonës të vihej në kontakt me mua, ndërsa shërbimet australiane të emergjencës po arrinin të kontaktonin Interpolin pothuajse në të njëjtën kohë,"-tregon ajo.
Sipas Lecons, një ambulancë u nis rreth 25 minuta pas kafshimit. Për shkak se ajo ndodhej në një shteg të largët, ekipit të shpëtimit iu deshën edhe 30 minuta të tjera për të arritur tek ajo, të ndjekura nga një orë tjetër derisa mbërriti në spitalin e Bajram Currit, ku iu dha kundërhelm.
Pasi mbërriti në spital, Lecons tha se u përball me një sistem shëndetësor që dukej qartë se kishte vështirësi, ku mungonin letrat higjenike, vetëm një prizë në dhomë dhe dyert ishin të ngushta.
“Siç e përmenda në videot e mia, kaloi një ditë para se të më jepnin letër higjienike, pasi thanë se nuk kishin fare në dispozicion. Ditën e dytë, stafi më tha se duhej të gjeja dikë që të më blinte vetë akull, pasi edhe furnizimi me akull në spital kishte mbaruar. Dhoma kishte vetëm një prizë elektrike, kështu që çdo pajisje në dhomë duhej të përdorej njëra pas tjetrës dhe përmes së njëjtës prizë. Duke qenë se nuk mund të ecte dhe kishte dhimbje kur përdorte paterica, duhej të lëvizja me karrige me rrota, por portat ishin shumë të ngushta. Në vend të kësaj, më duhej të kryeja nevojat e mia në shtrat. Nuk prisja të merrja të njëjtin trajtim si në Australi apo Zelandën e Re, por spitalet duhet të jenë në gjendje të ofrojnë një shërbim të përshtatshëm dhe, sigurisht, përpara se të nxirret një përfundim se sa i mirë ishte trajtimi që mora, duhet të ketë një diskutim se përse spitaleve u mungojnë këto gjëra,"-u shprej ajo.
Lidhur me rastin asokohe reagoi edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila deklaronte se ekipet mjekësore të Qendrës Shëndetësore Verore në Valbonë reaguan menjëherë, duke i ofruar ndihmën e parë në terren dhe duke e transportuar pacienten drejt strukturave shëndetësore.
