TIRANË- Një turiste australiane e identifikuar si Amy Lecons, u pickua nga një nëpërkë në një zonë të thellë malore në Alpet Shqiptare, e cila tashmë gëzon shëndet të plotë pas ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve shëndetësore.
Lidhur me shpëtimin e saj ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, teksa bën me dije se turistes i është dhënë ndihma e parë në terren. Sipas Ministrisë, ekipet mjekësore të Qendrës Shëndetësore Verore në Valbonë reaguan menjëherë, duke i ofruar ndihmën e parë në terren dhe duke e transportuar pacienten drejt strukturave shëndetësore.
"Në zemër të Alpeve Shqiptare, edhe në zonat më të thella malore, strukturat tona shëndetësore mbeten në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë dhe jetën e çdo turisti.
Pas njoftimit për një turiste australiane, Amy Lecons, të dyshuar të pickuar nga gjarpri në një zonë të thellë të Valbonës, ekipet mjekësore të Qendrës Shëndetësore Verore Valbonë reaguan menjëherë, duke ofruar ndihmën e parë në terren dhe transportin e pacientes drejt strukturave shëndetësore.
Falë profesionalizmit, koordinimit dhe përkushtimit të personelit shëndetësor, si dhe mbështetjes së banorëve të zonës, pacientja mori trajtimin e nevojshëm dhe gëzon shëndet të plotë.", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Përmes një video në rrjetet sociale menjëherë paës incidentit, vetë turistja ka rrëfyer ngjarjen dhe përshkruan momentet e panikut dhe vështirësitë që ka kaluar. Ajo tregon se gjatë ecjes në zonën malore ka dyshuar se mund të shkelte një gjarpër, ndërsa më pas është pickuar dhe ka mbetur e bllokuar për disa minuta në terren të vështirë.
“Jam pickuar nga një gjarpër. Gjithë kohës që po ecja po thoja se do ishte keq nqs do të shkelja një gjarpër dhe të pickohesha. Dhe ndodhi pikërisht kjo. Kam ngecur këtu për 15 minuta dhe jam pak e shqetësuar nga ngjyra e këmbës time. Kam qenë në kontakt me bujtinën dhe ata mund të më dëgjojnë kur thërras për ndihmë, por ambulanca jo dhe nuk mund të më gjejnë. Ndihmëëëëëë….
Mund të dëgjoj disa njerëz. Mendoj se jemi mirë. Ndoshta, nuk e di. Doni të shihni si duket këmba ime. Ndihmë. Nuk e kam parë gjarprin.
Ndihem shumë sëmurë, se di a është nga rruga apo nga pickimi i gjarprit. Kam pasur shumë dhimbje dhe shumë shqiptarë rreth meje duke folur shqip dhe nuk e di se çfarë po ndodh shumicën e kohës deri kur më folën nëpërmjet përkthimit. Do rri këtu gjatë natës.
Mendoj se ata më kanë thënë që nëse lëviz këmba ime do të bëhet blu dhe mund të duhet ta presim. Mendoj se jam pikuar nga gjarpri më helmues që kanë në Shqipëri. Një tas i madh me qumësht dhe bukë, ky është mëngjesi im. Do të rikthehem në bujtinë më në fund, do të rikuperohem atje”, thotë ajo në postimin e saj.