TIRANË-Baroni i drogës, Dritan Rexhepi, është paraqitur sot në GJKKO. Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurimit "arrest me burg" për Dritan Rexhepin, i cili u ekstradua nga Turqia, në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. 'Mbreti' i drogës ka deklaruar se do të marrë pjesë në çdo seancë gjyqësore dhe përmes avokates Joana Qeleshi ka kërkuar lirimin nga qelia, duke pretenduar se mbahet në arrest pa asnjë provë. Seanca e ardhshme do të zhvillohet më 24 janar, në orën 12:00.
I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Dritan Rexhepi i njohur edhe me emrin Gramoz mbërriti në vendin tonë mesditën e 8 janarit, pasi u ekstradua nga Turqia. Pasi mbërriti në aeroportin e Rinasit u transferua në burgun '313'. Rexhepi akuzohet për tre vepra penale: rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, vrasje në Krujë vite më parë, falsifikim dokumentesh në Fier.
Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës në Janar të vitit 2020, ndërkohë që edhe pse kanë kaluar gati 4 vite nga ky krim, trupi nuk është gjetur ende, ndërkohë që SPAK ka mbyllur hetimet, ku dhe ka akuzuar zyrtarisht Rexhepin si porositës së rrëmbimit të 47-vjeçarit nga Kamza.
Përmes pamjeve filmike është provuar se Jan Prenga u vra në makinë, ndërkohë që trupi i tij u dërgua në resortin Golden në Shijak, në pronësi të vëllezërve Hajri. Dritan Rexhepi, së bashku me shtetasit Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, u akuzuan zyrtarisht për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, parashikuar nga nenet 109 paragrafi i tretë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë dhe 28/4 i Kodit Penal, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/1 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
I konsideruar si “mbreti i kokainës”, Dritan Rexhepi u arrestua më 20 nëntor 2023 me dokumente false kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia, në një vilë luksoze, brenda së cilës u gjetën para dhe bizhuteri. Në Turqi mundi të hyjë përmes aeroportit të Stambollit, ndërsa autoritetet italiane e gjurmuan dhe njoftuan kolegët turk që e ruajtën për disa ditë në vilë dhe pasi u bindën ndërhynë për kapjen e tij./ZËRI