PROFIL/ Historia e pazakontë e Dritan Rexhepit, ambicia për tu bërë jurist dhe lidhja me kartelin e El Chapo-s
TIRANË- Dritan Rexhepi, 43 vjeç u ekstadua sot në Shqipëri. Shqiptari nga Vlora, i cili kërkohej nga disa shtete u kap i fshehur në një resort vilash luksoze në Stamboll, Rexhepi i njohur edhe me emrin Gramoz ka "hesape" edhe në Shqipëri për zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e cila zbuloi për publikun e gjerë edhe egërsinë e kartelit të parë shqiptar, "Los Blancos". Një rrjet ky, pjesë e të cilit janë edhe shqiptarë të tjerë, i kryesuar nga Dritani, dikur një djalë i thjeshtë nga Vlora, me ambicien për të vazhduar studimet për Drejtësi.
Por kush është vlonjati me dy emra? Si e fitoi reputacionin e tij si “mjeshtri i arratisjeve” për t’u bërë një nga 10 më të kërkuarit nga Interpoli?
Historia e këtij gangsteri piktoresk nis në Shqipërinë e viteve ’90. Diktatura e egër e Enver Hoxhës ka rënë dhe vendi është në anarki. I riu braktis ëndrrën e karrierës në drejtësi, duke zgjedhur pikërisht rrugën e kundërt: krimin. Një zgjedhje e vështirë, do t’i thoshte gazetarit Artan Hoxha, duke i shpjeguar se ‘kisha dy mundësi: t’i dorëzohesha sistemit të kalbur e të padrejtë të Shqipërisë, që do të më kishte dënuar përjetë, apo të kërkoja një mundësi të dytë duke bërë diçka tjetër me jetën time. Për këtë hyra në trafikun e drogës’.
Në një intervistë për gazetarin Artan Hoxha, në vitin 2020 kur Policia shqiptare e kërkonte për zhdukjen e Prengës, Rexhepi thoshte se nuk kishte lidhje me ngjarjen, ndërsa për herë të parë rrëfeu edhe karrierën e tij kriminale. Ai mohoi vrasjen e parë atë të vitit 1998 përfshirë edhe grabitjet në Spanjë. Por, Policitë e 5 vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë e kërkojnë Rexhepin me disa akuza të dokumentuara prej tyre si krime të rënda.
1998, Dritan Rexhepi akuzohet për vrasjen e dy Policëve, Arben Keqi dhe Durim Kasmi
40-vjeçari shqiptar kërkohet për t’u burgosur pasi ka qënë i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 2 efektivevë të policisë në Fushë – Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998. Vlonjati Gramoz Rexhepi, që më vonë e ndryshoi emrin në Dritan, do të shënonte shumë shpejt rritje në “karrierë”. Në vitin 2006 ai do të ishte pjesë e më të kërkuarve në Shqipëri. Asokohe student i Juridikut, hyri në hollin e hotel “Tiranës” me dy pistoleta. Sipas akuzës të dy të rinjtë ishin vrasës me pagesë dhe u kapën menjëherë për t’u dërguar Rexhepin në komisariatin e Policisë në Durrës, ku pas 2 ditësh do të dilnin para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë deri në përfundimin e hetimeve.
Ky ishte pikërisht momenti ku Rexhepi fitoi emrin e shumëmerituar si ekspert i arratisjeve, duke u kthyer në një legjendë për të gjitha ata që vuanin dënim. 40-vjeçari përfitoi nga një moment hutimi i efektivëve që e ruanin, të cilët me siguri nuk e njihinin potencialin e tij, për t’u larguar nga burgu. Efektivët ia kishin edhe më të lehtë detyrën pasi kishin vendosur t’iu linin dyert hapur me qëllim komunikimin me njëri-tjetrin.
Kaq mjaftoi për të! Sapo doli nga qelia e tij, Rexhepi ktheu xhupin nga ana tjetër për të ndryshuar ngjyrën, mori nën krah një dosje që gjeti mbi tavolinë dhe kaloi rojën tek dera. Alarmi dhe kërkimet në çdo skutë ishte më kot pasi Rexhepi tashmë ishte larg dhe në hapat e tij të parë të shënimit të historisë si një nga kriminelët më të frikshëm të historisë së vendit.
Në vitin 2009, Dritan Rexhepi arratiset nga burgu i Pavias në Itali
… Në vitin 2009 emri i tij rishfaqet nga mediat italiane pasi vlonjati ia del që të arratiset nga burgu i sigurisë së lartë, në Pavia, bashkë me dy shqiptarë të tjerë. Dritan Rexhepi, Ylli Ndoji dhe Leonard Myrtaj, që të tre të akuzuar për krime të rënda arritën të arratiseshin natën e 11 marsit 2009. I riu shqiptar kishte rënë në burgun e Italisë për një krim të rëndë të kryer në Venecia. Ndërkohë njëkohësisht kërkohej edhe nga Belgjika dhe Hollanda për trafik ndërkombëtare droge. Për tre vite duket sikur i kishin mjaftuar ‘vlonjatit’ për të “pushtuar” Europën.
29 maj 2011, Dritan Rexhepi akuzohet për vjedhjen e Bankës në Barcelonë
Pas arratisjes nga Italia, nga viti 2009-2011 vlonjati mban një profil të ulët duke iu shmangur Policisë me çdo kusht. Por nuk ia del dot. Në 2011 ai arrestohet për grabitjen e një banke në Barcelonë, në një moment kur në qytet festohej fitorja e Champions League nga ekipi i Barcelonës. Vlonjati dhe banda e tij kishin zgjedhur ditën e 29 majit, duke marrë parasysh se nuk do të binin shumë në sy për shkak të festimeve që po organizoheshin në qytet. Por nuk shkoi sipas planit, Grabitja bëri bujë të madhe dhe policia vendase arriti që të kapte grupin e shqiptarëve mes të cilëve i shumë kërkuari Dritan Rexhepi. Mister mbetet fakti se si ai shpëtoi nga drejtësia spanjolle pa u dënuar. Kjo grabitje, mohohet nga Rexhepi.
5 muaj pas ngjarjes në Barcelonë, Dritan Rexhepi prangoset në Belgjikë
Të qëndruarit në hije duket se është diçka që nuk i pëlqente vlonjatit. Pas vetëm disa muajsh mungesë, ai rikthehet fuqishëm në Belgjikë, ku edhe u arrestua për t’u çuar në burgun e Antverp, në tetor të vitit 2011. Por duke qenë se nuk kishte bërë asnjë krim të rëndë do të ekstradohej në Itali. Autoritetet belge i besuan pamjes së tij, duke mos e menduar ndonjëherë grabitjen. Rexhepi e mbajti lart reputacionin e tij duke u arratisur pa asnjë problem nga burgu i sigurisë së ulët. Në fakt shqiptarit nuk i kishin vënë rëndësi, se burgu ku ishte strehuar Rexhepi është një nga më të vjetrit në Belgjikë dhe nuk konsiderohet i përshtatshëm për kriminelët serioze. “Ka vetëm dy roje të pranishëm për 120 persona, kështu që mundësia e arratisjes është shumë e lartë” thuhej në raportin e Ministrisë së Drejtësisë pas arratisjes. Pra…një kockë e lehtë për shqiptarin e trajnuar me arratisjet.
Pas vitit 2011, Dritan Rexhepi fluturon në Angli, udhëtimi në "tokën e ëndrrave"
‘Scotland Yard’ publikoi foton e tij duke shkruar se ai ishte një nga 17 të huajt më të rrezikshëm që gjendeshin në tokën e tyre, duke lënë në dispozicion të qytetarëve edhe numrin e telefonit ku mund të jepnin informacion mbi vendndodhjen e tij. Por gjejeni pak? Asnjë! Nuk e kapën dot kurrë. Nuk dihet nëse ishte zotësia e tij për t’u fshehur mirë apo sepse kishte qënë në Angli vetëm për një moment tranzit pasi në mendje kishte diçka tjetër. Ndoshta Amerikën Latine?
Ekuador, njohja me Don Montin, futja në rrjetin ndërkombëtar të kokainës
Pasi mbërrin në Ekuador, Rexhepi arrin të hyjë në grupin e trafikantit më të rëndësishëm në vend, Cesar Emilio Montenegro Castillo, i quajtur ‘Don Monti’, i cili nga ana e tij është në lidhje biznesi me kartelin kolumbian të Norte del Valles dhe me mbretin e padiskutueshëm të drogës, Joaquin ‘El Chapo’ Guzman.
Marrëveshja lind kur Rexhepi zgjidh problemet e Don Monti, i cili përdorte kanale për transfertat e parave që organizatat kriminale kineze i realizonin me komisione të larta. Shqiptari heq kinezët dhe i propozon disa korrireë shqiptarë me çmime të ulëta dhe me Uestern Union. Marrëveshja e bind "Don Montin" që i jep Rexhepit menaxhimin e financave të kartelit të tij dhe i beson dërgimin e drogës në Evropë.
Arrestimi dhe burgosja në Quito, 'treni' i fundit përpara Stambollit
Në qershor të vitit 2014, me një identitet dhe pamje tjetër, Dritan Rexhepi (Gramoz), u arrestua në Quito të Ekuadorit, ku mbeti për më shumë se një muaj i paidentifikuar. Një operacion ku u gjetën 278 kilogramë kokainë, finalizoi prangosjen e tij. Mes tëarrestuarve ishte edhe babai i Dritan Rexhepit. P.Rexhepi. Ndërkohë Dritan Rexhepi qëndronte në burg pa u identifikuar. Ishin gjurmët e gishtave ato që zbuluan se personi i arrestuar ishte pikërisht ai, asokohe 34 vjeç.
Gjatë qëndrimit në burg, Rexhepi kishte një telefon celular me të cilin vazhdonte dërgimin e drogës së Castillos në Evropë. Këtu nisi kompania Bello. Historia unike e një rrjeti shqiptar.
Kompania Bello, ka formën e një federate ndërkombëtare dhe përbëhet krejtësisht nga organizata kriminale shqiptare me bazë në Evropë, 14 saktësisht, kapo i të cilave është Rexhepi. Është ai që iu siguron drogën dhe gjithmonë ai që merret me llogaritë, asnjë ndërmjetës midis Tiranës e Quitos. Për herë të parë në histori, narkot shqiptarë nuk duhet t’u drejtohen përfaqësuesve në Evropë të karteleve amerikanojugore, as mafieve italiane, janë vetë ata që menaxhojnë trafikun, nga fillimi në fund.
Droga dërgohet me anije në Evropë, ku hyn përmes porteve të Anversës e Roterdamit, paratë pastrohet përmes sistemit kinez fei ch‘ien, anëtarët komunikojnë me shërbime të kriptuara dhe organizojnë shpesh takime për të rrahur idetë për metoda të reja transporti, shmangie të hetimeve dhe riciklim të parave. Megjithatë, asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa një element thelbësor, korrupsionin. Të korruptuar ishin gardianët e burgut të Quitos, ashtu si dhe personeli i porteve ku zbarkonin ngarkesat e drogës.
Organizata bazohet mbi një kod sjelljeje të bazuar te heshtja e besnikëria. Çdo anëtar duhej të pranonte zbatimin e disa rregullave, midis tyre edhe hakmarrjen te familja e tij në rast tradhtie. Kapobandat impenjoheshin në rekrutimin e ushtarëve të rinj midis shqiptarëve jashtë vendit, sidomos në Holandë e Itali, duke krijuar një klimë heshtjeje të papërshkueshme nga tentativat për infiltrim nga ana e policisë.
Kompania Bello, raportohet se u godit në vitin 2020 ku u kërkua edhe arrestimi i Eldi Dizdarit.
Nga ky moment, kur Dritan Rexhepi ndodhej ende në burg. Në vitin 2021, ai u lirua por edhe pse i ishte ndaluar dalja nga Ekuadori, ai sërish nuk u bind. Për gati 2 vite, askush nuk dinte asgjë për vendodhjen e tij, edhe pse raportohej se ndodhej në Amerikën Latine. 1 vit më parë misteri u zgjidh, e sot Rexhepi është kthyer në atdhe./ZËRI
VD- U ekstradua nga Turqia, Dritan Rexhepi mbërrin në burgun 313 në Tiranë
TIRANË- Dritan Rexhepi u ekstradua nga Turqia në Shqipëri sot. I shumëkërkuari pasi mbërriti në aeroportin e Rinasit u transferua në burgun 313 pas përfundimit të veprimeve procedural.
I njohur ndyshe si 'mbreti i kokainës', ai u shoqërua nën masa të rrepta sigurie nga Stambolli deri në aeroportin e Rinasit, ku forca të shumta të RENEA-s siguruan transferimin e Rexhepit pa incidente. Në video shihet momenti kur baroni i drogës, transferohet në burgun 313.
Ndaj tij rëndojnë akuza të shumta si “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
I konsideruar si “mbreti i kokainës”, Dritan Rexhepi u arrestua më 20 nëntor 2023 me dokumente false kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia, në një vilë luksoze, brenda së cilës u gjetën para dhe bizhuteri. Në Turqi mundi të hyjë përmes aeroportit të Stambollit, ndërsa autoritetet italiane e gjurmuan dhe njoftuan kolegët turk që e ruajtën për disa ditë në vilë dhe pasi u bindën ndërhynë për kapjen e tij./ZËRI
VD-I shoqëruar nga forcat RENEA, Dritan Rexhepi me pranga në duar mbërrin në Rinas
TIRANË-I shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është ekstraduar sot në Shqipëri nga Turqia. I njohur ndyshe si 'mbreti i kokainës', ai u shoqërua nën masa të rrepta sigurie nga Stambolli deri në aeroportin e Rinasit, ku forca të shumta të RENEA-s siguruan transferimin e Rexhepit pa incidente. Në video shihet momenti kur baroni i drogës, me pranga në duar shoqërohet nga forcat RENEA.
Ndaj tij rëndojnë akuza të shumta si “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, ”Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
I konsideruar si “mbreti i kokainës”, Dritan Rexhepi u arrestua më 20 nëntor 2023 me dokumente false kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia, në një vilë luksoze, brenda së cilës u gjetën para dhe bizhuteri. Në Turqi mundi të hyjë përmes aeroportit të Stambollit, ndërsa autoritetet italiane e gjurmuan dhe njoftuan kolegët turk që e ruajtën për disa ditë në vilë dhe pasi u bindën ndërhynë për kapjen e tij./ZËRI
“Escobari i ri u vetëdeklarua investitor grek”/ “Protothema” flet për Dritan Rexhepin: Krijoi lidhje me politikanët e Ekuadorit
ATHINË- Rritja e përdorimit të kokës në Greqi konfirmon indirekt një proces që ka ndodhur vitet e fundit në shkallë globale; pra kokaina është gjithnjë e më shumë e aksesueshme. Madje dhe më e lirë! Nevoja për të shmangur patrullimet e Agjencisë Amerikane të Antidrogës në brigjet e Kolumbisë, bëri që unazat ballkanike dhe evropiane të gjenin rrugë të tjera, përmes vendeve si Kosta Rika, Paraguaj dhe mbi të gjitha nga Ekuadori. Nga portet më të qeta - dhe më pak të kontrolluara - në Amerikën Latine, trafikantët italianë, rusë, turq dhe mbi të gjitha shqiptarë siguruan mundësinë për të transportuar tonelata kokainë nga Kolumbia, Bolivia, Peruja etj. Droga fshihet në anije që mbanin banane ose produkte të tjera ushqimore, të destinuara për në Holandë, Belgjikë ose Spanjë.
Perspektiva e fitimeve të përmasave të paimagjinueshme neutralizon çdo frikë ose frenim dhe inkurajon zgjuarsinë. Duke qenë se tregtarët shqiptarë blejnë kokainë nga Kolumbia për 2000 dollarë për kilogram dhe në Evropë mund ta shesin për 10 deri në 15 herë më shumë, atëherë ata kanë më shumë se një nxitje të fortë për të kërkuar më mirë në hartën e botës për të gjetur kanale të pazbuluara më parë. Përveç kësaj, tregu evropian, i cili llogaritet në 12 miliardë euro në vit, është i pangopur, pra kërkojnë gjithnjë e më shumë kokainë.
Shqiptarët dominojnë
Bandat shqiptare lëvizën në mënyrë më dinamike dhe efikase se shumica e konkurrentëve të tyre dhe arritën të merrnin "frenat" në terren. Ndonëse i burgosur (aktualisht në Turqi dhe në pritje të ekstradimit në Shqipëri), Rexhepi, sipas një raporti të gjerë të gazetës amerikane “The ëashington Post” që hedh një vështrim gjithëpërfshirës të situatës aktuale në trafikun e drogës, shfaqet si bosi i ri i madh i fuqishëm i një narko-shumëkombëshe.
Ai u arrestua në Holandë
Jeta e tij është si skenar filmi. Dritan Rexhepi e nisi nga Ekuadori ngjitjen e tij duke u prezantuar si biznesmen dhe investitor grek. E gjitha kjo ka ndodhur në Ekuador, në vitin 2011, kur Rexhepi shkoi në Ekuador duke ndjekur një trend të kohës që ishte zhvilluar atëherë në botën e krimit shqiptar. Për më tepër, dobësia e autoriteteve vendase kishte krijuar kushte jashtëzakonisht të favorshme për njerëz me aspirata si Dritan Rexhepi. Atje, ai mund të blinte pa as më të voglin problem prona të paluajtshme, të krijonte kompani të ligjshme për të filluar punën me veprimtarinë e tij të paligjshme.
Natyrisht, Rexhepi nuk emigroi në Ekuador me precedentë të pastër kriminalë nga jeta e tij e mëparshme. Në Shqipëri, si vrasës me pagesë, ai ishte përfshirë në vrasjen e një polici dhe një civili në vitin 1999, një krim i dyfishtë për të cilin u arrestua në vitin 2006. Megjithatë, ai u arratis menjëherë nga paraburgimi dhe filloi të endet në Ballkan dhe Itali si një i arratisur. Shqiptarët dhe italianët e kërkonin, por ai u arrestua përfundimisht në Holandë për vepra të trafikut të drogës.
Rexhepi u ekstradua në Itali, ku u dënua me 13 vite burg, u arratis dhe u arrestua sërish, këtë herë në Spanjë, ku autoritetet e ekstraduan në Belgjikë. Pas një tjetër arratisjeje, "i pakapshmi" vendosi të shpërngulej në Ekuador, një vend që nuk prodhon vetë kokainë, por e merr nga Kolumbia dhe Peruja.
Bosi nga qelia
Shumë shpejt Rexhepi krijoi një organizatë të rregullt kriminale, duke aplikuar metodat që tashmë njihen; një zinxhir biznesesh që trafikonin qindra ton kokainë dhe pastronin para të paligjshme. Megjithatë, Rexhepi kishte horizonte të hapura dhe vizione më të mëdha, kjo është arsyeja pse ai u angazhua në një përpjekje sistematike për të depërtuar në shërbimet qeveritare të Ekuadorit, me ryshfet dhe korrupsion. Ai u bashkua me banditë vendase dhe madje përdori zëvendëskonsullin shqiptar në Ekuador si bashkëpunëtor të tij - megjithëse, në fund, përfundoi sërish pas hekurave të burgut.
Në vitin 2014, ai u arrestua në qytetin më të madh të vendit, Guayaquil, dhe u dënua me 13 vjet burg për trafik droge. Por në realitet, dënimi specifik për Rexhepin ishte diçka si ndryshim i ambientit të punës, pasi nga brenda qelisë ai iu përkushtua pa pushtim forcimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të rrjetit të tij. Në vitin 2015, ai u përpoq të apelonte vendimin e shkallës së parë kundër tij, duke përmendur një shkelje të drejtësisë. Ai pretendoi se emri i tij i vërtetë ishte Lulzim Murataj dhe se ishte në burg gabimisht, vetëm sepse Policia e kishte ngatërruar me Dritan Rexhepin.
“Nuk ka asnjë provë më të vogël kundër meje, as edhe një fotografi të vetme që më lidh me krimin për të cilin jam akuzuar,”- thoshte në atë kohë Rexhepi. Dhe duke e ekzagjeruar me të njëjtin ton dramatik të të pafajshmit, shtoi: Mëkati im i vetëm është se jam shtetas shqiptar. Erdha në Ekuador sepse vendi reklamohet se po tërheq investime të huaja.
Pavarësisht nga statusi i vetë Rexhepit në Ekuador, organizata e tij vazhdoi të përhapte tentakulat e saj në mbarë globin, duke krijuar stacione tranziti në Greqi, Rumani, Hungari, Itali, Spanjë, Holandë, Gjermani, Shqipëri dhe natyrisht në Dubai. Në të gjitha këto vende, organet ligjzbatuese arrestuan 20 bashkëpunëtorë të Rexhepit, por ky i fundit nuk ishte aspak i trembur.
Në gusht të vitit 2021, duke tërhequr fijet e duhura në prapaskenë, ai iu ndryshua dënimi në arrest shtëpie me një transmetues dixhital ("byzylyk"), arsyetimi i përdorur ishte "për arsye shëndetësore". Vetëm pak ditë më vonë i hoqën edhe byzylykun nga këmba pasi mendohej se Rexhepi nuk do të kishte mundësi që të arratisej dhe do të zbatonte kushtin që të shkonte në Komisariat çdo 15 ditë. Rastësisht, menjëherë pasi kandidati presidencial ekuadorian Fernando Villasencio kritikoi ashpër vendimin e autoriteteve për lirimin e Rexhepit, ai u vra nga një person i panjohur dhe ngjarja nuk është zbardhur as sot e kësaj dite.
Fantazma 'Bello'
Megjithatë, "narco" shqiptar u arrestua sërish në nëntor 2023, pas presioneve të forta nga jashtë. Agjencitë italiane dhe shqiptare kërkuan nga Ekuadori që të ekstradonin Rexhepin, por këtë nuk e gjetën në shtëpi. Ai u gjend në Turqi, duke jetuar në një rezidencë luksoze buzë detit në një periferi të Stambollit. Ai kishte udhëtuar atje me një pasaportë kolumbiane duke përdorur emrin Benjamin Omar Pérez García. Ai u gjet nga agjentët italianë të Policisë, të cilët njoftuan kolegët e tyre turq.
Ndonëse lajmet se çfarë do të ndodhë më pas me Rexepin janë të paqarta, qeveria turke thuhet se ka miratuar ekstradimin e tij në Shqipëri. Por sërish ka të ngjarë që herët a vonë narkoja shqiptare të gjejë një mënyrë për të rifituar lirinë e lëvizjes edhe me akuzat që ka mbi shpinë./ZËRI
Marrë nga Protothema
Ekstradohet nga Turqia në Shqipëri, 'mbreti' i kokainës Dritan Rexhepi
TIRANË-'Mbreti' shqiptar i kokainës, Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është ekstraduar sot nga Turqia në vendin tonë. Rexhepi u shoqërua nën masa të rrepta sigurie nga Stambolli deri në aeroportin e Rinasit, ku forca të shumta të RENEA-s siguruan transferimin e Rexhepit pa incidente. Turqia e miratoi ekstradimin në Shqipëri të Dritan Rexhepit në shkurt të 2024-ës, i cili u arrestua në Stamboll në muajin nëntor të vitit 2023. Rexhepi në vendin tonë akuzohet për tre vepra penale: rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, vrasje në Krujë vite më parë, falsifikim dokumentesh në Fier.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi.
45-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, sepse:
-Në vitin 2020, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, ''Fshehja dhe asgjësimi i kufomës'', “Trafikimi i lëndëve narkotike”, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin G. D., ka urdhëruar rrëmbimin e shtetasit J. P., pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i shtetasit J. P., kishte vjedhur në Angli, një kontenier me lëndë narkotike në pronësi të 45-vjeçarit dhe bashkëpunëtorit të tij;
-Në vitin 2015, Gjykata e Fierit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave" dhe "Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve";
-Në vitin 2013, është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale "Vrasja me paramendim” dhe "Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit". Më datë 06.10.1999, në një lokal në Krujë, 45-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin D. K., si dhe ka plagosur pronarin e lokalit, shtetasin R. B., i cili ka humbur jetën më pas, në spital;
-Në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për trafikim të lëndëve narkotike. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është arratisur nga vendi i vuajtjes së këtij dënimi, në Firence. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet, 8 muaj dhe 6 ditë burgim.
Rexhepi kërkohet në Shqipëri si porositës për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ngjarje kjo e ndodhur 4 vite më parë, pas konfliktit me vëllezërit e tij për një sasi kokaine. Ndërkohë në janar të vitit 2024 Gjykata Kushtetuese la në fuqi përfundimisht dënimin për Dritan Rexhepin me 25 vjet burg. Vendimi lidhet me fajësinë e 43-vjeçarit për vrasjen e policit Durim Kasmi në vitin 1999 në qendër të Krujës dhe plagosjen e Ramazan Bakiut, me pasojë vdekjen disa ditë më pas.
Ekstradimi i "Mbretit të kokainës" kërkohet nga disa vende, një prej tyre Italia, e cila e ka dënuar me 20 vite burg dhe Ekuadori e Belgjika. Autoritetet italiane akuzojnë gjithashtu Rexhepin se ka urdhëruar të paktën dy vrasje të tjera gjatë qëndrimit në burg, në Ekuador dhe Shqipëri. Shqiptari ka mohuar përfshirjen e tij në këto krime.
Rexhepi u vu në pranga në Turqi, në sajë të bashkëpunimit mes autoriteteve turke dhe atyre italiane, ndërkohë që kishte arritur të largohej nga burgu në Ekuador përmes një arresti shtëpie fillimisht, dhe më pas një arratie nga vendi. Në momentin e arrestimit, Rexhepi ishte në shoqërinë e gruas së tij kolumbiane dhe dy fëmijëve. Ai dyshohet si kreu i një klani të fuqishëm të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine për në Europë. Përveç shpalljes në kërkim nga Shqipëria, ai ka llogari të hapura me drejtësinë dhe në Spanjë, Itali dhe Britani të Madhe.
Dritan Rexhepi është cilësuar dhe si një mjeshtër i arratisjeve nga burgu. Fillimisht ai u arratis në vitin 2007 nga Komisariati i Durrësit. Ndërkohë një vit më pas ai kreu një arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Pak më vonë një tjetër arrati u regjistrua në Belgjikë. Ai doli nga Kakavija me pasaportën e falsifikuar me gjeneralitetet Lulzim Murataj –pasaportë me të cilën u arrestua në Ekuador- dhe prej datës 16 nëntor 2013, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në Shqipëri./ZËRI