Lajme të këqija nga Athina, spitali: Përkeqësohet gjendja e Janullatos, është kritike!

ATHINË- Gjendja shëndetësore e Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos është përkeqësuar. Lajmin e ka bërë me dije ekipi mjekësor i spitalit “Evangelismos”, atje ku ndodhet aktualisht 95-vjeçari.
“Situata aktuale e Fortlumturisë së Tij Kryepeshkopit të Shqipërisë z.Anastasi vlerësohet të jetë kritike,”-thuhet në njoftimin më të fundit nga spitali. Në këto kushte, 95-vjeçari po monitorohet nga afër nga ekipi mjekësor i spitalit, nën drejtimin e profesores së Pulmologjisë dhe Kujdesit Intensiv, Anastasia Kotanidou.

Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas Janullatos u shtrua në një spital të Tiranës për shkak të një virusi sezonal, por gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua dhe më 3 janar u pa e nevojshme transferimi i tij në Athinë. Kështu, ai u dërgua në Greqi që të premten nga një mjet i Forcave Ajrore.
Transporti ajror u krye me një avion C-27 të Forcave Ajrore, ndërsa në krah të Kryepeshkopit ndodheshin një mjek dhe dy pjesëtarë nga ekipi i personelit të FA-ve. Avioni u ul në aeroportin ushtarak të Elefsinës në orën 19:34 të së enjtes mbrëma dhe menjëherë më pas Kryepeshkopi u transferua në njësinë e kujdesit intensiv. Por që nga ajo ditë, gjendja e tij nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar. Aq sa sot, edhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis shkoi që ta vizitonte në spital./ZËRI
Përkeqësohet gjendja e kryepeshkopit Janullatos, kryeministri Mitsotakis shkon e viziton në spital

GREQI- Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka vizituar spitalin “Evangelismos”, atje ku po trajtohet Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos. Edhe pse shkoi në gjendje stabile në shtetin helen, tashmë pas disa ditësh i shtruar në spital, gjendja e tij është përkeqësuar.
Në këto kushte, kreu i qeverisë greke, Mitsotakis u informua nga profesoresha e Pulmologjisë dhe Kujdesit Intensiv, Anastasia Kotanidou, për gjendjen e tij shëndetësore dhe shkoi personalisht në spital. Edhe pse vizita është bërë publik nga mediat greke, nuk janë zbulua detaje të tjera lidhur me rastin.
Bëhet e ditur se Kryepeshkopi i Shqipërisë ndodhet i shtruar në gjendje kritike në spitalin “Evangelismos”, ku u transportua me helikopter mesditën e së premtes. Pasi mbërriti në Greqi, shëndeti i tij sa vjen edhe përkeqësohet. Para shtrimit në spital në Evangelismos, prelati 95-vjeçar, i cili ka një histori të komplikuar mjekësore, kishte shfaqur simptoma të virusi sezonal. Ndaj edhe u shtrua në spital, ku edhe kaloi mbrëmjen e ndërrimit të viteve. Megjithatë, mjekët raportuan se pas përkeqësimit të shëndetit të tij, u vendos transferimi i tij në Greqi për të marrë kujdesin e specializuar mjekësor./ZËRI
Përkeqësohet shëndeti i Kryepeshkopit, media greke: Ndodhet në gjendje kritike për jetën

ATHINË- Kryepeshkopi Anastas Janullatos, i cili u transportua me avion nga Shqipëria mesditën e së premtes, në Greqi është në gjendje kritike për jetën. Media greke “Protothema” raporton se Kryepeshkopi është shtruar në spitalin “Evangelismos”, por shëndeti i tij është përkeqësuar gjatë mbrëmjes së djeshme.
Drejtoresha e spitalit, Anastasia Kotanidou ka thënë se ekipi mjekësor po vijon monitorimin e gjendjes së tij shëndetësore. Para se të transportohej në Athinë, u shtrua fillimisht në një spital në Tiranë, por pas përkeqësimimit të tij u dërgua në shtetin fqinj.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Janullatos vetëm pak kohë më parë festoi 95-vjetorin e tij. /ZËRI