DUBAI-Elson Reçi është arrestuar për herë të dytë në Dubai. Fillimisht Reçi u arrestua nga policia e Dubait në muajin Gusht, por pas disa ditë qëndrim në burg, ai u lirua nga qelia me kushtin e paraqitjes në Polici. Ndërkohë në datën 2 Janar 2025, Oranews raporton se Soni është riarrestuar nga policia e Dubait, pas dyshimeve se ka thyer kushtet.
Elson Reçi i njohur ndryshe si “Soni” kërkohet nga autoritetet shqiptare si organizator i vrasjes së Preng Gjinit, një krim që është konsideruar si hakmarrje për vrasjen e xhaxhait të tij, Kastriot Reçi. Autoritet Shqiptare, kanë kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ekstradimin e Soni Reçit, por kjo kërkesë ende nuk është shqyrtuar nga Drejtësia e këtij vendi. SPAK e akuzon Reçin si porositësin e këtij atentati. Ai rezulton të ketë kontraktuar 6 persona për të kryer shpërthimin e komanduar ndaj Gjinit. Ky i fundit mbeti i plagosur rëndë nga ngjarja në fjalë.
Elson Reçi, u shpall në kërkim nga SPAK pas operacionit “Metamorfoza 3”, që u finalizua më 17 Maj të 2024. Në total nga kjo dosje u nxorën 50 urdhër-arreste, për pjesëtarë të 7 grupeve kriminale.
Atentati ndaj Preng Gjinit
Mbi urën e Nisharakut në Tiranë u tentua më 15 shtator 2020 eliminimi fizik i Preng Gjinit. Në makinën me të cilën udhëtonte i ishte vendosur një sasi tritoli 400 gramë C4, në pjesën e përparme, me shpërthim të kontrolluar në distancë. Atentati që atëherë u dyshua se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve mes fiseve Reçi e Gjini. Preng Gjini ka qenë shoqëruar për vrasjen e Kastriot Reçit, që u ekzekutua me snajper në 27 janar të 2020. Në atë kohë, 5 vëllezërit e familjes Reçi, Tonin Reçi, Paulin Reçi, Martin Reçi, Alfred Reçi dhe Gjovalin Reçi kanë deklaruar para efektivëve të Policisë së Tiranës se nuk kanë gisht në atentatin me tritol që iu bë Preng Gjinit./ZËRI