TIRANË-Telefonata e një vajze, e cila deklaroi se ishte dhunuar nga disa persona në një banesë në katin e tetë të një pallati në Astir, alarmoi ditën e djeshme (9 janar 2025) Policinë e Tiranës. Forcave RENEA iu desh të hipin në tarracën e pallatit dhe të zbresin me litarë në ballkonin dhe dritaren e apartamentit në katin e tetë, pasi vajza e identifikuar me inicialet S.Q. nuk prante të hapte derën. Në banesë u gjet vetëm vajza dhe askush tjetër. Edhe pse policia ka dyshime se aty ka pasur të tjerë persona që janë larguar para se uniformat blu të mbërrinin.
Por çfarë ndodhi vërtet brenda banesës?
Mësohet se brenda banesës kanë qenë disa persona, të cilët prej mbrëmjes së të mërkurës ndodheshin në dy apartamente në katin e 8 të pallatit, ku i kishin marrë me qira airbnb ngjitur me njëri-tjetrin. Pasi e reja është nxjerrë nga banesa, Policia gjeti në apartament një jelek antiplumb; 2 armë zjarri; alkool dhe shenja që linin të kuptohej se është konsumuar edhe lëndë narkotike. Armët u dërguan në laborator për ekspertizë, ndërsa vajzës iu dha ndihma mjekësore, pasi ishte në gjendje të rënduar. Edhe pse në denoncimin e saj e reja deklaroi se ishte dhunuar, autoritetet njoftuan se nga këqyrja paraprake nuk konstatohen shenja të dukshme fizike.
"Rreth orës 14:10, u bë hapja e derës së banesës nga Forcat “Renea”, nuk pati probleme. Shtetasja S.Q, ndodhet nën asistencën e stafit mjekësor. Nga këqyrja paraprake nuk konstatohen shenja të dukshme fizike. Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve të ngutshme hetimore dhe kontrollit të apartamenteve të tjera në pallatin në fjalë, në një banesë tjetër janë gjetur 2 armë zjarri pistoletë. Brenda kësaj banese nuk janë gjetur persona në momentin e kontrollit,'-njoftoi Policia.
Dëshmia e vajzës
Ndërkohë, vajza ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe në dëshminë e saj paraprake para policisë ka deklaruar se është ndjerë e rrezikuar dhe se ka qenë bashkë me 2 vajza të tjera dhe 3 djem dhe se ata e kishin ftuar. Ajo është shprehur se ka qenë e frikësuar kur ka parë që mbanin armë dhe i ka kërkuar ndihmë familjarëve. Pasi është qetësuar ajo ka deklaruar se nuk është dhunuar. Vajzat janë shoqëruar nga policia, ndërsa policia është në kërkim të personave të tjerë.
"Ka rrëfyer se në banesë prej mbrëmjes së djeshme ka qenë nën shoqërinë e 5 personave të tjerë, dy vajzave dhe tre djemve. Nuk ka arritur t’i identifikojë të gjithë duke u shprehur se nuk i kujton personat në fjalë, vetëm dy vajzat ka identifikuar. Të paktën nga informacionet që unë kam ato pak minuta më parë janë shoqëruar nga policia, ndërkohë për tre djemtë është shprehur se mund t’i identifikojë në momentin që mund t’i shohë. Ajo pretendon se nuk është dhunuar, por kujton se kanë qenë me armë personat në fjalë dhe ka qenë e rrezikuar gjatë gjithë kohës që qëndronte me ta. Këto deklarime janë vërtetuar edhe me verifikimet që janë bërë me pamjet filmike dhe personat janë identifikuar tashmë dhe po kërkohen për t’u shoqëruar”, u shpreh gazetari Merin Maçi në emisionin “Opinion”.
Babai i vajzës më herët e kishte denoncuar në polici se të bijën ia kishin rrëmbyer, por ajo vetë kishte deklaruar se ishte larguar me dëshirën e saj, dhe jetonte me të dashurin. Të dyja këto versione po verifikohen nga hetuesit./ZËRI