TIRANË-Fadil Ternova është i ekstraduari nga Italia, i cili akuzohet për 4 vepra të ndryshme penale, mes të cilave edhe tentativë vrasje. Ngjarja për të cilën akuzohet lidhet me një incident të vitit 2024 në aksin rrugor Bulqizë–Tiranë, ku dyshohet se Ternova ka tentuar të qëllojë me armë zjarri një shtetas tjetër pas një konflikti verbal.
Pas debatit Ternova ka nxjerrë armën e zjarrit, tip kallashnikov dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti që ishte parkuar aty pranë, makinë e cila ishte në pronësi të një personi tjetër, pa asnjë lidhje me ngjarjen. Pronari i mjetit që u qëllua me armë asokohe është Afrim Peti.
Por ky nuk është rsati i vetëm, ku 38-vjeçari përfshihet në ngjarje kriminale. Ternova rezulton i dënuar për vrasjen e biznesmenit të koromit Shefqet Shehu, në vitin 2013, në qytetin e Bulqizës.
Ndërkohë në korrik të vitit 2023, Fadil Ternova ishte pjesë e grupit që dhunoi brutalisht shefin e Policisë Bashkiake të Bulqizës për shkak të detyrës. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë, ku 38-vjeçari bashkë me Denis Tërnova dhe Elidon Karaj goditën me grushte për shkak të detyrës shefin e Policisë Bashkiake. Gjithashtu ai dyshohet se është organizator dhe autor kryesor për disa raste të ndodhura më parë për “Shtrëngim për dhënie pasurie”.
Një vit më vonë në 2024, vëllait të tij Luan Ternovës iu bë atentat sapo doli nga xhamia. Një person, ende i paidentifikuar, qëlloi me armë zjarri ndaj tij dhe më pas u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Vetë Ternova denoncoi rastin në Polici, por e vetmja gjë që u gjet ishte një motor të djegur në aksin rrugor Qafa e Buallit-Klos.
Ndaj Fadil Ternoves Gjykata e Dibrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve./ZËRI


