LONDËR-Media Sky News i ka kushtuar një artikull kontrabandistëve shqiptarë të emigrantë lidhur me metodat e kalimit të paligjshëm në Londër. Në investigimin e fundit, raportohet se metoda e re nuk ka të bëjë me gomone, jahte apo kamionë por me automjete të tipit Range Rover.
Shqiptarët po përdorin dokumente false për të ndihmuar personat të hyjnë ilegalisht në Britani përmes Tunelit të La Manshit. Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme britanike që merret me çështjet e emigracionit dhe azilit, tha se nuk ishte surprizë që ky itinerar po shfrytëzohet nga kontrabandistët.
“Ne trajtojmë raste emigracioni ku njerëzit na kanë thënë se kanë hyrë përmes Tunelit të La Manshit duke përdorur pasaporta false. Disa prej tyre thonë se kanë parë një oficer dogane apo të Border Force, kanë paraqitur dokumentin dhe janë lejuar të kalojnë”, tha burimi.
Sipas hetimit të Sky News, një kontrabandist shqiptar pretendon se për 24 mijë paund mund të organizojë transportimin e një emigranti drejt Londrës, të ulur në sediljen e pasagjerit të një automjeti luksoz Range Rover, me vlerë rreth 100 mijë paund. Ish-oficeri i kontrollit kufitar tha se një situatë e tillë ngre pikëpyetje për mënyrën se si funksionojnë kontrollet.
“Është shumë e vështirë, por nëse dikush arrin të kalojë dhe është aq i sigurt sa të ulet hapur në makinë, duhet të pyesësh veten: është teknologjia apo oficeri në sportel?”, tha ai.
Dy burimet e Sky News vlerësuan se teknologjia në kontrollet kufitare është shumë e avancuar, por pranuan se lufta ndaj kontrabandistëve është një proces i vazhdueshëm. Ish-oficeri tha se shumë persona që tentojnë të kalojnë me dokumente false kapen, por disa rrjete kriminale përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara.
“Njerëzit mund të përdorin dokumente të vërteta, por nuk janë personi që figuron në dokument. Dokumenti mund të jetë i vjedhur. Ka shumë raste të personave që paraqiten si dikush tjetër”, tha ai.
Sipas tij, kontrabandistët po bëhen gjithnjë e më kreativë për të shmangur kontrollet. Ai shtoi se pas marrëveshjes së kthimeve të shpejta mes Britanisë dhe Shqipërisë, e cila synonte të frenonte kalimet ilegale me gomone në Kanalin Anglez, është vërejtur një rritje e përpjekjeve për përdorimin e dokumenteve false.
“Kur një rrugë bëhet më e vështirë, njerëzit përpiqen të gjejnë një tjetër”, tha ai.
Hetimi ngre shqetësime jo vetëm për sigurinë kufitare, por edhe për mënyrën se si disa emigrantë, pasi hyjnë ilegalisht në Britani, përfshihen në aktivitete kriminale për të shlyer borxhet ndaj kontrabandistëve. Eksperti i institutit kërkimor RUSI, Dr. Andi Hoxhaj, i cili ka studiuar emigracionin shqiptar në Britani, tha se një pjesë e diskutimit mungon: kërkesa e madhe për drogë në tregun britanik. Sipas tij, Britania ka një treg të madh të drogës dhe kjo nxit aktivitetin e grupeve kriminale./ZËRI