Aktualitet

“Kimisti” kolumbian i laboratorit të kokainës në Frakull mbërrin në Rinas, i akuzuari për vrasje në tentativë sillet nga Italia

Ngjarja për të cilën akuzohet lidhet me një incident të vitit 2024 në aksin rrugor Bulqizë–Tiranë, ku dyshohet se Ternova ka tentuar të qëllojë me armë zjarri një shtetas tjetër pas një konflikti verbal.

F.I
“Kimisti” kolumbian i laboratorit të kokainës në
pamje nga ekstradimi

TIRANË-Dy persona të shpallur në kërkim dhe të dënuar me burg në mungesë nga drejtësia shqiptare, janë ekstraduar nga Kolumbia dhe Italia. Policia ka ndarë pamjet e ekstrdimit nga Kolumbia të Saimir Rosales Rodriguez i njohur si 'kimisti', i cili do të vuajë dënimin me 14 vite burg, të vendosur pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për laboratorin e kokainës në Frakull.

Sipas hetimit, 'kimisti' përdori "kompani fasadë" për të transportuar mallra nga porti i Buenaventurës, Kolumbi, në Greqi dhe Mal të Zi, ndërkohë që një pjesë e kokainës kishte si destinacion Shqipërinë. Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale "trafikimi i narkotikëve" kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, "grup i strukturuar kriminal", dhe "kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".

Ndërkohë nga Italia u ekstradua Fadil Ternova, 38 vjeç, lindur në Bulqizë, i cili ishte shpallur në kërkim për disa vepra penale. Sipas Policisë, ndaj tij Gjykata e Dibrës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzën e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve.

Ngjarja për të cilën akuzohet lidhet me një incident të vitit 2024 në aksin rrugor Bulqizë–Tiranë, ku dyshohet se Ternova ka tentuar të qëllojë me armë zjarri një shtetas tjetër pas një konflikti verbal. Ai rezulton gjithashtu i proceduar për “goditje për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe është dënuar më herët për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, finalizohen 2 faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”.

-Ekstradohet nga Kolumbia, pjesëtari i një grupi kriminal, i cili akuzohet se ka shoqëruar një kontejner me lëndë narkotike, nga porti Buenaventura, në Greqi dhe Mal të Zi, me destinacion Shqipërinë.

-Ekstradohet nga Italia, një shtetas i akuzuar/dënuar për 4 vepra penale, ndër to, për tentativë për vrasje me armë zjarri.

Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale intensive të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Bogotës, Kolumbi dhe të Interpol Romës, Itali, u finalizuan 2 faza të tjera të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, gjatë të cilave u ekstraduan në Shqipëri:

•shtetasi kolumbian i arrestuar në Kolumbi, S. R. R., 53 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formë të veçantë, atë të bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal".

Gjatë periudhës 7 korrik 2022–12 nëntor 2022, Policia e Shtetit dhe autoritetet në Mal të Zi kanë shkëmbyer informacione lidhur me një kontejner me ngarkesë të dyshimtë me pleh organik të transportuar me anije, në portin e Tivarit. Ngarkesa, nga të dhënat paraprake të administruara për interesa të procedimit, rezultonte se ishte nisur nga porti Buenaventura, Kolumbi, kishte kaluar nëpërmjet portit të Pireut, Greqi, kishte destinacion tranzit Malin e Zi dhe kishte marrës një shtetas shqiptar. Nga hetimet e mëtejshme të kryera për këtë rast rezultoi se shtetasi S. R. R. kishte shoqëruar ngarkesën me lëndë narkotike, përgjatë itinerarit Kolumbi-Greqi-Mal i Zi, deri në destinacionin final;

•shtetasi i arrestuar në Itali, F. T., 38 vjeç, lindur në Bulqizë, pasi Gjykata e Dibrës:

-në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Në vitin 2024, në aksin rrugor “Bulqizë-Tiranë”, shtetasi F. T. ka tentuar të vrasë me armë zjarri (automatik), shtetasin A. P., pas një konflikti verbal me të, për motive të dobëta;

-në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim;

-në vitin 2018, e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Poll

MOS HUMB