TIRANË-Raiffeisen Bank ka dështuar sërish në sistemin e sigurisë, ku këtë herë dëmi financiar shkon në rreth 200 mijë euro. Rasti i publikuar mbrëmjen e djeshme, nuk ka të bëjë me mesazhe mashtruese ndaj klientëve të bankës së Raiffeisen siç është raportuar shpesh kohët e fundit, por paratë janë tërhequr nga 2 ish-punonjës pa patur gjendje në llogari.
Skandali tregon se serverët e bankës rreth mesnatës lejonin transferta pa verifikuar nëse llogaria kishte mbulim financiar. Vetë Raiffeisen ka depozituar një kallëzim penal në Policinë e Shtetit, duke denoncuar skemën e dyshuar të mashtrimit ku u përfshinë rreth 40 persona.
SKEMA-Si dy ish-punonjësit kryen vjedhjen pa patur gjendje në llogari?
Sipas raportimeve nga Kontrast.al, skema dyshohet se shfrytëzonte një anomali të sistemit që shfaqej gjatë orëve të vona të natës. Në intervale të caktuara, transfertat ndërmjet llogarive mund të realizoheshin përmes aplikacioneve bankare, ndërsa verifikimi i gjendjes reale të fondeve kryhej me vonesë. Zbulimi i dobësisë së sistemit u bë nga Redjon Zaçi, një djalë i apasionuar pas elektronikës dhe programimit dhe, së bashku me Eglind Mançjan, i cili kishte njohje të sistemeve bankare, pasi kishte punuar për mikrofinancën Kredo.al, ngritën një skemë mashtrimi, duke përfituar shuma të konsiderusheme parash.
Përmes llogarive bosh kryheshin transferta e tërheqje të vogla, kryesisht nga 100 euro, ndërsa dëmi paraprak për bankën dyshohet se arriti rreth 200 mijë euro. Për të mos rënë në sy, paratë shpërndaheshin në dhjetëra llogari. Mançja siguronte persona që hapnin llogari kundrejt pagesës, ndërsa fitimet ndaheshin mes organizatorëve dhe atyre që bënin tërheqjet.
Vjedhja u krye në intervale kohe të caktuar, kur sistemi të lejonte të bëje transferta online brenda llogarive ose nga karta në kartë, duke përdorur aplikacionet e bankës, ndërsa ato të përgjigjeshin pa të pyetur nëse kishe apo s’kishe para. E gjitha një anomali elektronike e platformës digjitale të Raiffeisen Bank në Shqipëri.
Raiffeisen Bank i ka dorëzuar Policisë së Shtetit një listë me mbi 40 persona, për të cilët kërkon verifikimin e përfshirjes së tyre në skemën e dyshuar. Por veç kallëzimit të Polici, nga ana të cilës nuk ka ende një njoftim zyrtar lidhur me rastin, vetë banka duke se nuk është shqetësuar për klientët e saj, ku mungon një paralajmërim për qytetarët apo të forcojë sistemin e sigurisë.
Rasti vjen në një kohë kur “Raiffeisen bank" ka qenë në qendër të vëmendjes mes skandaleve e gjyqeve për abuzime me kreditë, hakerimeve dhe zhvatjeve ndaj llogarive bankare të klientëve apo duke rënë pre e vjedhjes nga punonjësit e vetë bankës.
Ndodhur përpara këtyre rasteve, sa besim kanë familjet shqiptare për të aplikuar për kredi në bankën "Raiffeisen Bank"?/ZËRI




