Aktualitet

U bllokuan pasi ndikojnë në zgjedhjet/ KAS rrëzon KQZ, projektligjet “Paketa e Maleve” dhe “Skema e TVSH” do kalojnë në Kuvend

Por, gjatë mbledhjes KAS me shumicë votash vendosi të lejojë kalimin e këtyre dy nismave në Kuvend.

I.F
U bllokuan pasi ndikojnë në zgjedhjet/ KAS rrëzon KQZ,
Ilirjan Celibashi

TIRANË- Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ndalonte shqyrtimin e dy projektligjeve “Paketa e Maleve” dhe “Tatimin mbi vlerën e shtuar” për bujqësinë. Menjëherë pas vendimit të KAS ka reaguar edhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila ka thënë se projektligjet e propozuara janë në përputhje me Kodin Zgjedhor.

“Ky vendim konfirmon qartësisht se propozimi i MEKI dhe i Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor, është në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe nuk bie ndesh me legjislacionin e zbatueshëm në fuqi”, thuhet në postimin e MEKI.

Këto dy projektligje ishin ndaluar nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi me argumentin se shkelin Kodin Zgjedhor, pasi kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe qytetarët. Por, gjatë mbledhjes së sotme KAS me shumicë votash vendosi të lejojë kalimin e këtyre dy nismave në Kuvend. Tani, pritet që në seancat parlamentare të shqyrtohen këto dy projektligje dhe të votohen.

Këto dy projektligje u bllokuan nga KQZ me argumentin se mund të ndikojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Celibashi u shpreh se të dy këto projektligje ndikojnë në sektorin financiar dhe tregtar dhe shkelin Kodin Zgjedhor pasi krijojnë perceptimin se po përdorën për qëllime elektorale. Por, Sekretari i Kuvendit, Genc Gjonçaj dorëzoi në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve ankimin që kërkon prishjen e vendimit të kryekomisionerit, Ilirjan Celibashi.

Drafti për TVSH-në në bujqësi bashkoi mazhoranxcën dhe opozitën, pasi votuan pro heqjes së saj në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë. Pas ndalimit nga KQZ, deputeti socialist Erion Braçe kërkoi që nisma të miratohet dhe u shpreh se do ta paguajë ai gjobën që do të vendoset.

Skema e rimbursimit të TVSH-së iu mundësonte përpunuesve kompensimin e TVSH-së së zbritshme kur blinin mall të shoqëruar me faturë tatimore nga fermerët. Kompensimi me 20% i TVSh-së për periudhën tatimore, iu linte marzh të lartë fitimi përpunuesve, edhe kur e blinin qumështin nga fermeri me çmim të lartë. Më pas, nga 2019 deri në 2022, TVSH e kreditueshme u ul nga 20% në 6%. Ndryshimet fiskale të 2019-s sollën uljen e nivelit të TVSh-së 6% në blerje dhe 20% TVSH e shitjes për produktet e bulmetit. Ndërsa prej vitit 2022, TVSH e kreditueshme u bë 0%. Shoqata e Industrisë së Përpunuesve propozoi se heqja e skemës së TVSH-së së kreditueshme të zëvendësohej me një skemë të ngjashme me vendet e rajonit, që TVSH-ja të faturohet e njëjtë si në blerje, ashtu edhe në shitje, në nivelet 6 ose 9%.

Ndërsa, projektligji i hartuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për "Paketën e Maleve", i jep të drejtën të gjithë "investitorëve strategjikë" që të aplikojnë për të blerë prona shtetërore me tarifën simbolike 1 euro, me kushtin e vetëm që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar. Këshilli i Ministrave do të miratojë zonat me përparësi zhvillimi dhe më pas do të jetë MEKI, ajo që do të krijojë një strukturë të posaçme që të bëhet inventarizimi për çdo zonë./ZËRI

Poll

MOS HUMB