
TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe gjatë fjalës së tij në Kuvend ka kritikuar kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashin pasi bllokoi projektligjin për të ndaluar skemën e tatimeve në bujqësi. KQZ e bllokoi këtë projektligj, pasi tha se ndikon në fushatën zgjedhore. Braçe e kritikoi këtë bllokim nga ana e KQZ dhe ofendoi kreun e saj, Celibashin, duke e quajtur injorant dhe shtoi se nuk e ka lexuar nismën.
"Komisioneri i ka rekomanduar Kuvendit mos miratimin e nismës. Ajo që më bën përshtypje dhe të më vijë keq ka të bëjë me faktin që ai nuk e ka lexuar nismën. Ka parë vetëm titullin e nismës se po ta kishte lexuar do ra kishte kuptuar nëse ndalimet në kodin zgjedhor që ndalohet në një periudhë 4 mujore. S’ka të bëjë as me ulje as me heqje takse, pro vendosje takse, leximi është problem shumë i madh në këtë vend nga më të vegjlit tek më të rriturit. Është për të vënë duart në kokë. Përfaqësuesit e Kuvendit janë mundur t’i shpjegojnë, por mesa duket komisionieri i ka shkuar deri në fund historisë, unë, kolegët e mi që nuk janë vetëm të PS por edhe opozitës kanë 6 vite me radhë që luftojnë për këtë gjë, kërkoj vetëm kthimin në natyralitet të tatimit mbi vlerën e shtuar. Kërkoj nga Kuvendi që të ecë para me nismën sepse nuk ka asnjë lidhje me atë që pretendon komisioneri dhe nuk ka lidhje me asnjë injorant tjetër që nuk lexon në këtë vend, edhe në këtë sallë po të doni. Të eci përpara dhe në qoftë se komisioneri ka ndërmend të vendosë gjobë do ta paguaj unë gjobën në emër të Kuvendit", tha Braçe.
"Përfundojeni fjalën zoti Braçe", u shpreh kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
"S’kam dalë nga rendi i ditës të flas për qiellin. Dua të flas se kështu e kam", shtoi Braçe
Por, gjatë fjalës së tij ai u përplas dhe me deputeten demokrate Dhurata Çupi, duke i thënë asaj të lexoj dhe të mos e ndërpresë.
"Bën si nevrik kot", ndërhuy Çupi.
"Merr lexo naj gjë, ti moj ti, merr lexo naj gjë", iu përgjigj Braçe.
Në Komisionin e Ekonomisë, mazhoranca dhe opozita bashkuan votat për të ndaluar skemën e TVSH-së së vendosur në vitin 2018, duke thënë se kjo po ndikon negativisht tek fermerët dhe ka rritur informalitetin./ZËRI