TIRANË- Kryeqyteti sot do të jetë i ndarë në dy pjesë. Në njërën anë do të jenë qytetarët që do të protestojnë për të 13-ën ditë radhazi kundër projektit të Zvërnecit dhe nga ana tjetër, aktiviteti i 35-vjetorit të Partisë Socialiste.
Protesta e qytetarëve do të nisë si çdo mbrëmje në orën 18:00 në në sheshin "Skënderbej" edhe vijon deri te Kryeministria, ndërsa aktiviteti i socialistëve po në të njëjtën orë, do të zhvillohet te sheshi "Italia".
Në kuadër të aktiviteteve, Policia e Tiranës ka hartuar një plan masash për sigurimin e rendit. Sakaq, duke nisur nga ora 16:00 do të ketë bllokime dhe kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë/ Në vijim të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, Policia e Tiranës ka hartuar një plan të detajuar masash për sigurimin e rendit dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillohen pasditen e sotme dhe në mbrëmje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (tubimit) dhe në sheshin “Italia” (aktivitet i subjektit politik Partia Socialiste).
Në këtë kuadër, Policia e Tiranës njofton se nga ora 16:00 deri në përfundim të aktiviteteve dhe tubimit, do të ketë bllokime dhe kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore.
Nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në rrugët:
● “Papa Gjon Pali II”;
● “Dervish Hima”;
● “Faik Konica”;
● “Lek Dukagjini”;
● “Gjergj Filipi”;
● “Hasim Zeneli”;
● “Themistokli Gërmenji”;
● “Ibrahim Rugova”, nga kryqëzimi me rrugën “Libri Universitar” deri te sheshi “Shopen”.
Gjithashtu, do të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Policia e Tiranës apelon për mirëkuptimin e qytetarëve dhe këshillon përdorimin e akseve alternative të lëvizjes, si dhe respektimin e udhëzimeve të shërbimeve të Policisë në terren.