TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) në një operacion të befasishëm ka lëshuar 20 masa sigurie, mes tye 'arrest me burg' për disa emra të njohur biznesmenë e pronarë të mëdhenj. Disa prej masave ende nuk janë ekzekutuar për disa prej tyre, pasi të përfshirët, dyshohet se mund të ndodhen jashte shtetit.
Listës së biznesmenëve të goditur këtë të premte nga SPAK, i bashkohet edhe Orges Birçaj. Ky i fundit, i njohur si pronari i biznesit të makinave “Top Seven”, është shpallur në kërkim dhe po punohet për lokalizimin e tij.
Në qendër të këtij operacioni janë pikërisht këta emra, të cilët, sipas hetimeve, dyshohen për pastrim të parave në shuma të konsiderueshme, aktivitete që mendohet se janë zhvilluar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Por, si arriti Birçaj të kamuflohej pas "Top Seven"? Biznes i cili rezulton në pronësi të një gruaje, Erinda Lutaj, por SPAK dyshon se është pronë e biznesmenit Orgest Birçaj.
Orgest Birçaj, është emri që fshihet pas një rrjeti të gjatë të pastrimit...Bëhet fjalë për një sërë biznesesh, projektesh apo investimesh, pas të cilave Birçaj nuk shfaqet drejtpërdrejt si pronar, por burime nga brenda projektit tregojnë se ai është “koka financiare” në hije, përmes ortakëve të tretë dhe kompani të lidhura.
1. Top Seven Luxury Cars
Showroom-i Top Seven në Tiranë ofron makina luksoze si Rolls Royce, Ferrari, McLaren dhe Mercedes Brabus. Çmimet e automjeteve shkojnë nga 250 deri në 600 mijë euro, duke e bërë këtë biznes një nga më të spikaturit në tregun automobilistik.
2. Top Seven Tower në Laprakë
Në Laprakë po ndërtohet Top Seven Tower, një kullë shumëkatëshe me volum ndërtimi dhe investime që kapin miliona euro. Projekti është ndër ndërhyrjet më të mëdha urbane në zonë.
3. Investimet në Palasë – kompleksi “SIN”
Në Palasë, Orges Birçaj lidhet me kompleksin e vilave “SIN”, një nga zhvillimet më të shtrenjta në bregdet. Çmimet e vilave fillojnë nga 700 mijë euro dhe mund të kalojnë 2 milionë. Projekti përfshin blerje tokash dhe ndërtim intensiv, duke e bërë një nga investimet më të mëdha private në zonë.
Biznesi i makinave me qira, Top Seven, që ndodhet pranë ish-Prakut të Autobusëve në Tiranë është bllokuar me urdhër të SPAK, ndërsa pronari është shpallur në kërkim.
Hetimet e SPAK po vijojnë, ndërsa pritet që të kemi zhvillime të mëtejeshme në vijim lidhur me zbardhjen e skemave të dyshuara financiare, si dhe me ekzekutimin e masave të sigurisë. /ZËRI